TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 10:21

Tensione te protesta para Parlamentit, autoboti me ujë iu afrohet qytetarëve; protestuesit i gjuajnë me vezë 

Shkruar nga Pamfleti
Tensione te protesta para Parlamentit, autoboti me ujë iu afrohet
Autoboti me ujë iu afrohet qytetarëve

Protesta para Kuvendit është përshkallëzuar duke u shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Teksa tensionet u rritën, një autobot me ujë u afrua pranë protestuesve, në anën e pedonales, menjëherë pas kordonit policor. Në të njëjtën kohë, protestuesit vijuan të hedhin vezë në drejtim të godinës së Parlamentit dhe kordonit të policisë.

Më herët, protestuesit kishin goditur me vezë dhe miell edhe automjetin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa deputetët e opozitës u pritën vetëm me thirrje si "opozitë e shitur", "nuk na përfaqësoni" dhe "Rama burg, Berisha burg".

Policia shoqëroi pesë protestues, mes tyre edhe aktivistin Gent Progni, pasi ndodheshin brenda perimetrit të sigurisë.

Situata u tensionua më tej kur një pjesë e protestuesve u përplas fizikisht me efektivët dhe arriti të zhvendosë një pjesë të gardhit metalik që rrethonte Kuvendin. 

Organizatori Dritan Goxhaj u bëri thirrje protestuesve të mos sulmonin policinë.

“E kemi me parlamentin! Jo me gurë Policisë së Shtetit!”, u tha ai protestuesve. Nga turma u dëgjuan edhe thirrje si “Jo me policinë”, “Bashkohuni me ne” dhe “Policia është me ne”.

Protesta vijon nën masa të forta sigurie, ndërsa hyrjet e Kuvendit mbeten të rrethuara nga barriera metalike dhe forca të shumta policie. 

 

protesta para parlamentit

Lini një Përgjigje