
Vllaznia nuk di të ndalet! Shkodranët regjistruan fitoren e radhës në kampionat, këtë herë në “klasiken” ndaj Tiranës. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 3-1, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare. Pjesa e parë foli e gjitha për Vllazninë, që shënoi dy herë, me Juriç dhe Balajn.
Në të dytën, Tirana tentoi të reagojë dhe gjeti golin e shpresës në minutën e 78 me Nikqin, por vetëm 1 minutë më vonë, Balaj shënoi të tretin me penallti, pas një 11-metërshi të shkaktuar nga Hoxhallari.
Me këtë fitore, Vllaznia rikthehet në vendin e dytë me 46 pikë dhe tani shikon nga vendi i parë, që mbahet nga Egnatia me 4 pikë më shumë.
Ndërkohë Tirana mbetet në vendin e gjashtë me 35 pikë.
Teuta ka mposhtur Erzenin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26 në Kategorinë Superiore.
Dueli u zhbllokua në minutën e 27 nga Lloci dhe 11 minuta më vonë, durrsakët realizuan golin e dytë me Beqjan. Dy asistet u dhanë nga Artan Jazxhi. Kështu pjesa e parë u mbyll 2-0.
Në pjesën e dytë, Daci gjeti edhe golin e tretë për Teutën. Erzeni pati disa raste të mira me Mihanën në fund, por nuk arritën të finalizonin.
Pas kësaj ndeshje, durrsakët i parakalojnë shijakasit në renditje teksa ngjiten në vendin e 8 me 28 pikë. Skuadra e Bejzades zbret në vendin e 9 me 26 pikë.
Lini një Përgjigje