TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Qershor 2025, 21:16

Zhbllokohet ndeshja në Letoni, Shqipëria kalon në avantazh (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Zhbllokohet ndeshja në Letoni, Shqipëria kalon në avantazh

Zhbllokohet ndeshja në Letoni, Shqipëria kalon në avantazh në minutën e 29. Pas një harkimi të Hoxhës nga e majta, topi shkon drejt Manajt, u devijua nga sulmuesi, por pastaj ishte Çernomordijs i cili e dërgoi topin në portën e tij.

 


Në minutën e 18, Letonia fitoi 11-metërsh. Pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve, Gutkovskis u rrrëzua në zonë pas një kontakti me Kumbullën dhe gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë.

 

 


3 minuta më vonë, Strakosha priti gjuajtjen e Ikaunieks.

 


Pas barazimit me Serbinë, kuqezinjtë duhet të mposhtin me çdo kusht skuadrën vendase, në mënyrë që të mbrojnë vendin e dytë pas krahëve të Anglisë. Për të bërë këtë, kuqezinjtë duhet të arrijnë fitoren e parë në histori ndaj Letonisë, me të cilën të 5 takimet e mëparshme janë ndarë në barazim.

Djemtë tanë kanë mundur të shënojnë 6 gola, teksa po kaq gola janë pësuar. Të dyja përfaqësueset ndodhen në një moment ku çdo pikë ka vlerë të jashtëzakonshme për objektivin final: kualifikimin historik në Kupën e Botës, një ëndërr që as Letonia dhe as Shqipëria nuk e kanë përjetuar ndonjëherë.

Bilanci historik është i rrallë për t’u parë në futbollin modern: pesë ndeshje, pesë barazime. Nga 1992 deri më 1999, çdo përballje mes Shqipërisë dhe Letonisë ka prodhuar vetëm barazim. Madje edhe përballja e fundit, në shtator të vitit 1999 në “Qemal Stafa”, përfundoi me spektakël golash, por barazim 3-3. Çdo tentativë për ta prishur këtë ekuilibër ka dështuar. Në Riga, njëra prej dy kombëtareve ka shansin historik ta ndryshojë këtë kapitull të pazakontë dhe të marrë fitoren e parë.

Statistikat e grupit flasin në favor të Shqipërisë: kuqezinjtë kanë shënuar 3 gola në këto eliminatore, me një mbrojtje të fortë, që ka pësuar vetëm 2 gola (nga Anglia). Letonia, përkundrazi, ka shënuar vetëm një gol dhe ka pësuar 3. Për më tepër, diferenca në renditjen e FIFA-s është e dukshme: Shqipëria pozicionohet në vendin e 66, ndërsa Letonia renditet e 138.

Tani është koha për të thyer ekuilibrin dhe bërë hapin e madh drejt ëndrrës së madhe.

Trajneri Silvinjo për këtë ndeshje ka bërë dy ndryshime të detyruara në mbrojtje duke aktivizuar Ismajlin e Kumbullën për Gjimshitin e Ajetin që mungojnë për ndeshjen e sotme. Por ndërkohë, ka bërë një tjetër ndryshim taktik në krahun e djathtë, duke hedhur në fushë Balliun në vend të Hysajt.

Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon në krahasim me ndeshjen e luajtur ndaj Serbisë pak ditë më parë në Tiranë.

 

shqipëria letonia kualifikueset e botërorit

Lini një Përgjigje