Si u zgjodh kryetar i KMSH, kush është Bujar Spahiu - Aktualitet
Aktualitet 3 Mars 2019, 08:40

Si u zgjodh kryetar i KMSH, kush është Bujar Spahiu

Shkruar nga Pamfleti
Si u zgjodh kryetar i KMSH, kush është Bujar Spahiu

Si u zgjodh kryetar i KMSH, kush është Bujar Spahiu

Bujar Spahiu do të drejtojë myslimanët për pesë vitet e ardhshme si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ish-nënkryetari i KMSH-së mori besimin e 2/3 të Këshillit të Përgjithshëm, duke u shpallur fitues që në raundin e parë në garën kundrejt dy myftinjve, atij të Tiranës, Ylli Gurra dhe të Lushnjës, Gramoz Blliku.

Ndonëse nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe BE-së, procesi zgjedhor është shoqëruar me kontestime, ende pa u zhvilluar akoma. Firimi i numrit të kandidatëve në garë, nga gjashtë në tre dhe tërheqja e beftë e kreut të KMSH-së, Skënder Bruçaj, kanë shtuar dyshimet për kapjen e institucionit më të rëndësishëm fetar për komunitetin mysliman.

ZOTIMET

Me dorën mbi Kuran, kreu i sapozgjedhur, Bujar Spahiu u zotua se do të ndjekë linjën e paraardhësve dhe do të punojë fort për atë me të cilën mburret vendi ynë në botë, harmonia fetare. “Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush, se do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë kontribuues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend; do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi”, nënvizoi në fjalën e tij Spahiu. Bujar Spahiu është kryetari i 10-të i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa u shpreh pas fitores se ndihet i nderuar, por edhe i vendosur para sfidave.

Për të, paqja dhe shpresa janë ato për të cilat ka nevojë kjo shoqëri. Duke bërë zotimet e duhura për të punuar në këtë drejtim, Spahiu tha se nuk e ndjen veten kryetar, por shërbëtor të Kuranit. “Na takon më shumë neve, së bashku, t’i përkushtohemi punës, të cilën na urdhëron Allahu (xh.sh.) në Kur’anin Fisnik për të çuar në zemrën e çdo njeriu mesazhin paqësor të Islamit. Na takon më shumë ne që t’i dedikohemi detyrës së madhe që kemi përpara. Feja jonë është feja e paqes dhe e shpresës! Vendi ynë ka nevojë për më shumë paqe dhe shpresë.

Ne, me ndihmën e Zotit do të punojmë për t’i dhënë rinisë, të varfërve, jetimëve, të moshuarve më shumë paqe dhe shpresë”, nënvizoi Spahiu, duke apeluar për humanizëm dhe ruajtjen e familjes, që është traditë profetike. Bujar Spahiu ka shërbyer për dhjetë vjet në postin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman. Përveç kësaj, ai njihet edhe për shkollimin e mirëfilltë teologjik në Universitetin e Al-Azharit në Kajro të Egjiptit si dhe si zë me peshë në Këshillin e Teologëve të Komunitetit Mysliman.

Biografia

Bujar Spahiu ka lindur më 26 shkurt 1976 në Kukës Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në shkollën “Lidhja e Prizrenit në Kolesjan, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992. Kështu, më 1996-n ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi.

Më pas, ai kreu studimet Teologjike universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez’herit në Egjipt në vitin 2003 në fushën e Tefsirit (interpretimi i Kuranit). H. Bujar Spahiu ka një kontribut të gjatë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku ka shërbyer si drejtor në Drejtorinë e Arsimit në KMSH nga viti 2006 deri 2009 dhe nga vitit 2009 deri në vitin 2019 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit në këtë institucion. H. Bujar Spahiu ka marrë pjesë dhe ka përfaqësuar Komunitetin Mysliman në shumë takime të rëndësishme, organizime të ndryshme, konferenca, simpoziume, etj.. Z. Spahiu është i martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë./Panorama

Aktualitet kush është Bujar Spahiu Si u zgjodh kryetar i KMSH