Sot kur mungon Qani Mehmedi, mungojnë edhe pyetjet thelbësore për ta zbërthyer lëmshin e kohës - Aktualitet
Aktualitet18 Korrik 2022, 18:59

Sot kur mungon Qani Mehmedi, mungojnë edhe pyetjet thelbësore për ta zbërthyer lëmshin e kohës

Shkruar nga Pamfleti
Sot kur mungon Qani Mehmedi, mungojnë edhe pyetjet thelbësore për

Qani Mehmedi ishte një nga unifikuesit e rrallë të praktikës gazetareske, me kulturën e formimit intelektual e krijues dhe si i tillë ai u imponua në sferën tonë publike. Ky fakt e bën atë të jetë i veçantë në përmasat e efektit që sjell dija si produkt terreni dhe dija si produkt formimi intelektual.

Shkruan Emin AZEMI

Sot u bënë pesë vjet nga shuarja fizike e Qani Mehmedit, por (mos)prania e tij shpirtërore e intelektuale vazhdon të bëj efektin e mallit për një humbje që sa vjen e bëhet më e dukshme. Kjo humbje sidomos vërehet kohëve të fundit, kur shumë pyetje delikate kërkojnë përgjigje, kurse më mirë se Qani Mehmedi s’do të përgjigjej askush.
Qani Mehmedi po na mungon që të formulojmë përgjigje ndaj sfidave që po kalon aktualisht bota shqiptare.

Pa dashur që ta stërmadhoj ndikimin që ai ushtroi në gazetarinë e Kosovës, por, megjithatë do të merrja guximin të konstatoja se Qani Mehmedi ishte një nga unifikuesit e rrallë të praktikës gazetareske, me kulturën e formimit intelektual e krijues dhe si i tillë ai u imponua në sferën tonë publike. Ky fakt e bën atë të jetë i veçantë në përmasat e efektit që sjell dija si produkt terreni dhe dija si produkt formimi intelektual.

Miqtë e Qaniut e kanë të njohur shkathtësinë e tij për të krijuar atmosferë edhe në momentet më pak relaksuese por edhe për të imponuar seriozitet atëherë kur inercioni i shpërqëndrimit na e krijonte komoditetin e rrejshëm. Qaniu ishte njeri i batutave dhe i dromcave filozofike që i trette në ujin e egër të përditshmërisë. Me Qaniun mund edhe të mos pajtoheshe për ndonjë çështje a ide, por me të nuk mund të armiqësoheshe për arsye se ai nuk ta jepte këtë shansë. Ai thjeshtë të privonte nga çdo lloj alibie për të qenë në anën e kundërt, pos nëse alibia ishte e rrejshme.

Gazetarinë që ai e shkroi dhe që u sprovua t’ua mësojë edhe të tjerëve, kishte autorësinë e një intelektuali që procesin e të shkruarit nuk e konsideronte vetëm rutinë, por edhe mision, ndërkohë që veglat që ai përdorte ishin mbindërtime idesh e motivesh që gjurmonte në literaturë dhe kjo do ta bënte Qani Mehmedin të krijojë botën e tij të perceptimit publik, kurse specifika e qasjes së tij përjashtonte çfarëdo lloj burimi të njëtrajtshëm dhe stereotip. Kjo do të duhej të jetë edhe arsyeja që besueshmëria e gazetarisë së Qaniut kishte një reflektim të gjerë, jo vetëm kohor, por edhe hapësinor.

Duke qenë një bashkëbisedues por edhe polemizues serioz për tema e probleme të mprehta politike e kulturore, Qaniu arriti të ruajë origjinalitetin e pikëpamjeve të tija, që si burim kishin formimin intelektual dhe kredonë morale të një publicisti me vizion. Koherenca qytetare e profesionale e profilit të Qani Mehmedit mbetet në suaza të një bashkëveprimi përvojash e parimesh që ai i imponoi gjatë gjithë punës së tij, por pa e cënuar dinjitetin e askujt.

Fakti që ai i takonte një gjeografie më të gjerë etnie, nuk e bënte aspak përjashtues, por përkundrazi, ky fakt absorbonte prirje kompelementare e të përbashkëta në filozofinë e tij të mendimit dhe veprimit, prandaj Qaniu shquhet për autorësi pikëpamjesh të gjera që sfidonin ngushtësinë e vrojtimit.

Qani Mehmedi la një fond të pasur shkrimesh dhe iu mbetet miqëve, kolegëve por edhe specialistëve të ndryshëm të publicistikës dhe bibliografisë të sistemojnë nga ky fond trashigiminë që do t’iu mbet brezave si shenjë që identifikon rrugën e një zhvillimi dhe perceptimi profesional për kohën dhe njerëzit, për ngjarjet dhe fenomenet, për dritën dhe hijen e qenësisë sonë kolektive

Qaniun më tepër e mbajmë mend si një profil gazetari që tejkaloi kallëpet e ngushta të gazetarisë së porositur dhe që solli në vëmendjen e publikut protagonistë intrigues, që për kohën përfaqësonin avngardën e mendimit dhe disidencën e veprimit. Një rol mjaft aktiv në këtë proces ka luajtur ai, duke qenë jo një parashtrues pasiv i pyetjeve retorike, por si një debat-nxitës mjaft aktiv për shumë ide të kohës që eklipsoheshin nga inercia e politikës.

Qani Mehmedi është pjesë e historisë së gazetarisë shqipe dhe jo të gjithë gazetarët kanë shansin të dalin përtej trajtave të ngushta të zhurnalizmit klasik dhe ata që arritën ta tejkalojnë këtë përkufizim sterotip, sot me të drejt quhen bardë të gazetarisë. Një ndër ta është edhe kolegu dhe miku im, Qani Mehmedi, prej të cilit mësuan shumë gjenerata gazetarësh, por shumë pak prej tyre arritën ta tejkalojnë mjeshtrin.

Forum #gazetari Qani Mehmedi #Qani Mehmedi