TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Qershor 2026, 18:00

"50 ton kokainë dhe pastrim parash", gazetarja polake 'shkund' Ramën: A do t'i lidhë SPAK-u pikat?

Shkruar nga Pamfleti
"50 ton kokainë dhe pastrim parash", gazetarja polake
Rama-Margo Rejmer

Margo Rejmer hedh akuza të forta ndaj Edi Ramës për drogën, pastrimin e parave dhe ndërtimet, duke pyetur publikisht: "A do t'i lidhë SPAK-u pikat?"

Gazetarja dhe shkrimtarja polake Margo Rejmer ka publikuar një reagim të gjatë në rrjetin social Facebook, ku ngre akuza dhe pretendime të forta për qeverisjen në Shqipëri. Ajo përmend pastrimin e parave, trafikun e drogës, ndërtimet luksoze dhe rolin e kryeministrit Edi Rama në miratimin e investimeve në vend.

Në postimin e saj, Rejmer thotë se përmes portit të Durrësit kanë kaluar sasi të mëdha kokaine, ndërsa ngre pyetje mbi mënyrën se si pastrohen fondet e përfituara nga aktivitetet kriminale. Ajo thekson se modeli i zhvillimit të Shqipërisë është mbështetur te investimet luksoze dhe pastrimi i parave, duke shtuar se kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave dhe kostos së jetesës.

Gazetarja shkruan gjithashtu se protestat që prej 28 ditësh po zhvillohen në Shqipëri, janë reagim ndaj këtij modeli qeverisjeje.

Një nga episodet që veçon në reagimin e saj lidhet me një grua që, sipas saj, është e përfshirë në pastrim parash, por që njëkohësisht merr pjesë në protestat kundër qeverisë.

"Mes turmës pashë kohët e fundit një grua që bashkëpunon me një nga informatorët e mi dhe pastron para të pista për të. Ajo bërtiste: 'Rama në burg!', ndërsa marshonte së bashku me djalin e saj të vogël", shkruan gazetarja polake.

Në fund të postimit, Rejmer ndalet te roli institucional i kryeministrit Edi Rama si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, duke theksuar se ky organ miraton investimet dhe lejet e ndërtimit në vend.

"Dhe meqë po lidhim pikat, të mos harrojmë: Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, organi që miraton çdo investim në Shqipëri, jep leje ndërtimi dhe vlerëson çdo projekt. Asnjë investim nuk mund të realizohet pa miratimin e kryeministrit", thotë shkrimtarja Rejmer.

Gazetarja ngre një pyetje të rëndësishme drejtuar SPAK-ut: "Gjithçka duket qartë. Tani e gjithë Shqipëria po shtron pyetjen: a do të dëshirojë SPAK-u, prokuroria kundër korrupsionit, t'i lidhë pikat?"

Postimi mbyllet duke cituar një deklaratë të kryeministrit Rama në një intervistë për Financial Times, ku ai shprehet: "Nuk jam kumbari i mafias", si dhe reagimin e protestuesve, të cilët i përgjigjen me sloganin: "SPAK you, Rama!".

Reagimi i plotë i gazetares polake:

Nuk ka gjë më të vështirë sesa të lidhësh pikat.

Një nga burimet e mia thotë se disa javë më parë, përmes portit të Durrësit ka kaluar një ngarkesë prej 50 tonësh kokainë. Merrni kalkulatorin. 50.000 kilogramë herë 20.000 euro për kilogram bëjnë 1 miliard euro. Kjo është 12 për qind e buxhetit vjetor të Shqipërisë.

Dhe kjo është vetëm një ngarkesë.

Tani llogarisni sa njerëz duhen për të shpërndarë në rrugët e qyteteve evropiane 50 ton kokainë? Sa njerëz, juristë, bankierë, noterë, punonjës zyrash ligjore dhe agjentë të shitjes së apartamenteve duhen për të pastruar 1 miliard euro?

Dhe kjo është vetëm një ngarkesë.

Një gazetare e njohur ekonomike më tha: "Që nga viti 2018 pyesja veten se si e bënin? Si transportonin dhe pastronin sasi kaq të mëdha parash cash? Çfarë sistemi të ndërlikuar kishin krijuar? Pastaj dokumentet e SPAK-ut dhanë përgjigjen: nëpër Evropë lëvizin kamionë të mbushur me para nga shitja e kokainës, kalojnë kufij pas kufiri falë ryshfeteve, ndërsa paratë ruhen në apartamente të blera vetëm për magazinimin e tyre ose varrosen në fuçi nën pemë ulliri. Gjithçka është kaq e thjeshtë dhe kaq primitive. Sasi të pafundme parash dhe korrupsion; kështu funksionon sistemi".

Dhjetëra mijëra shqiptarë protestojnë, sepse modeli i zhvillimit të vendit, i bazuar në investime luksoze dhe në pastrimin e parave të pista, nuk i ka sjellë kurrë mirëqenie asnjë shteti. Për njerëzit e zakonshëm ai do të thotë vetëm varfërim: çmimet e ushqimeve dhe qirave rriten në mënyrë marramendëse, ndërsa leku shqiptar është aktualisht, në mënyrë të pajustifikuar, shumë i fortë kundrejt euros.

Biznesmenë të lidhur me mafian ndërtojnë komplekse banimi, duke parkuar para, dhe fryjnë artificialisht çmimet. Aktualisht, një metër katror në qendër të Tiranës kushton rreth 3.500–4.000 euro, ndërsa paga mesatare është rreth 600 euro. Kjo e rendit Tiranën në vendet e para në Evropë për raportin mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të qytetarëve.

Një nga trafikantët me të cilët kam folur kohët e fundit më tha: "Palermo në vitet '70 u shndërrua në një kantier të madh ndërtimi, ashtu si Shqipëria sot. Sot Palermo është plot me shtëpi bosh. Tirana do të bëhet një qytet kullash bosh, sepse kushdo që do të mundet, do të largohet prej këtu".

Ndërkohë, Shqipëria po jeton me publikimin e "The Albanian Files", opus magnum-it të Ramës, një libër me investime që tashmë janë ndërtuar, që do të ndërtohen një ditë ose, siç na mëson përvoja, që nuk do të ndërtohen kurrë.

Edi Rama, pa asnjë drojë, publikon aty informacione që deri tani nuk ishin bërë të ditura për opinionin publik, për shembull se projekti i vilave dhe hoteleve në Zvërnec ishte hartuar që në vitin 2022 me porosi të oligarkut Kastrati.

"The Albanian Files" nuk është vetëm një dëshmi e korrupsionit shqiptar dhe një provë e shkallës gjigante me të cilën pastrohen paratë e pista në vend. Ai është gjithashtu një dëshmi e korrupsionit moral të arkitektëve yje, si Winy Maas, Stefano Boeri, Bjarke Ingels dhe të tjerë, të cilët gjatë viteve të fundit kanë krijuar fasadën e shkëlqyer të suksesit të madh ekonomik të Shqipërisë.

Pse askush prej tyre nuk e pyeti veten se nga i gjente një vend kaq i varfër paratë për qindra investime dhe për ndërtimin e kullave të reja gjigante?

Në "The Albanian Files" nuk përmendet asnjë arkitekt shqiptar. Edi Rama ka punuar vetëm me emra të mëdhenj të huaj. Ai e paraqiste veten si një lider-vizioner që sillte botën e madhe në një cep të Ballkanit të prapambetur. Dhe arkitektët e famshëm e përforconin këtë narrativë, duke treguar qëndrimin e tyre neokolonial ndaj Shqipërisë dhe arrogancën e tyre.

Megjithatë, të gjithë i kaloi Reinier de Graaf, arkitekti me famë botërore nga Holanda, i cili në "The Albanian Files" deklaroi se do të dëshironte ta shihte Ramën si mbretin e ardhshëm të Shqipërisë.

De Graaf, autor librash dhe artikujsh mbi mënyrën se si arkitektët e ndershëm duhet t'u shmangen projekteve që shërbejnë si mbulesë për pastrimin e parave, shkruan: "Për ne, arkitektët, do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri (2025) të anuloheshin. Madje do të shkoj më tej. Duke qenë se Shqipëria ka qenë prej vitesh një mbështetëse kaq e ndritur e arkitekturës, për profesionin tonë do të ishte më mirë që në këtë vend të mos zhvilloheshin më kurrë zgjedhje. Dhe ju, pas mandatit të pestë radhazi si kryeministër, thjesht të bëheshit president i përjetshëm. Ose ndoshta edhe mbret".

Fjalët gjysmë ironike të De Graaf-it u bënë një tjetër shkëndijë që ndezi sërish zemërimin e shqiptarëve. Dje, bulevardi në qendër të Tiranës u mbush përsëri plot me protestues.

Shqiptarët thonë mjaft korrupsionit dhe trajtimit të tyre si idiotë provincialë. Ata thonë mjaft krimit të organizuar, i cili, sipas tyre, nën qeverisjen e Ramës, ka marrë kontrollin e vendit.

Mes turmës pashë kohët e fundit një grua që bashkëpunon me një nga informatorët e mi dhe pastron para të pista për të. Ajo bërtiste: "Rama në burg!", ndërsa marshonte së bashku me djalin e saj të vogël.

Dhe meqë po lidhim pikat, të mos harrojmë: Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, organi që miraton çdo investim në Shqipëri, jep leje ndërtimi dhe vlerëson çdo projekt. Asnjë investim nuk mund të realizohet pa miratimin e kryeministrit.

Gjithçka duket qartë.

Tani e gjithë Shqipëria po shtron pyetjen: A do të dëshirojë SPAK-u, Prokuroria Kundër Korrupsionit, t'i lidhë pikat?

Në një intervistë për Financial Times, Rama thotë: "Nuk jam kumbari i mafias",
ndërsa protestuesve u drejtohet me fjalët: "F* you".**
Dhe turma në rrugë i përgjigjet: "SPAK you, Rama!"
Dhe përsërit: "Nesër do të jemi edhe më shumë".

gazetarja dhe shkrimtarja polake margo rejmer rama krim droge pastrim parash

3 Komente

  1. T
    Tony

    Kjo polakja s'ka pune te fuse hundet ne punet e Shqiptareve. Mjaft dem u bene Shqiptareve ne Angli duke u marre punet. Ne kohen e Enverit u kapen disa grupe spiunesh polake komuniste qe punonin per Britaniket, kur erdhen si grerezat ne Britani pasi hyne ne Europe vetem keta u priten me krahe hapur sa edhe bankat kishin seksionin me gjuhe polak. Punet ua moren te gjihe Shqiptareve duke u bere bashke e spiunonin. Tani vijne e na dilkan neper protesta. Jane ruseve, ukrainasve, a dreqit e te birit. Kur u permendje Gjermanit beheshin me ilet e tani po u lepijne bythen Gjermaneve. Une nuk e imagjinoj qe nje gazetar Shqiptar te fuse hundet ne punet e nje shteti tjeter. Ne se eshte gazetare ndyresire si ai Fevziu, per te fituar fame, eshte tjeter gje. Apo vijne qe te blejne trualle e prona te ne? Tregojuni rruget ketyre zhulsave.

    1. n
      narta

      Bravo bravo nje njohese e mire e realitetit shqiptar. I ke thene te gjitha. Kjo eshte Shqiperia e Edi Rames. Lavatrice e parave te pista me nje ekonomi fals bosh qe vetem varferon shtresen e mesme dhe gropos ate te ulten. Tashme cdo gje afere cdo skeme eshte e paster si drita diellit. Dhe nje i verner e shikon ku na ka katandisir ky palaco i papergjegjshem kryem.

      1. T
        Tony

        Polaca shko nga ke ardhur.

        Lini një Përgjigje