
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi se, nëpërmjet Aktit Normativ të Buxhetit 2026, financimi për Policinë e Shtetit do të rritet me 701 milionë lekë.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari bëri të ditur se fondet shtesë do të përdoren për rritjen e mbështetjes për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit, investime në teknologji, motivimin e strukturave elitare, si edhe për përshpejtimin e procesit të modernizimit të institucionit në përputhje me standardet më të mira evropiane.
“Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, rrisim me 701 milionë lekë financimin për Policinë e Shtetit. Më shumë mbështetje për pagat e efektivëve, më shumë investime në teknologji, më shumë motivim për strukturat elitare dhe një tjetër hap i vendosur drejt modernizimit sipas standardeve më të mira evropiane. Një polici më e fortë do të thotë një Shqipëri më e sigurt. Ky është angazhimi ynë dhe do ta çojmë përpara me vendosmëri”, u shpreh ministri Lamallari.
Sipas ministrit, kjo rritje e financimit është pjesë e angazhimit të qeverisë për ndërtimin e një Policie të Shtetit më të aftë, më moderne dhe më të pajisur për t'u përballur me sfidat e sigurisë, me synimin për të garantuar mbrojtjen e jetës, pronës dhe rendit publik.
Lini një Përgjigje