
KLSH i zbuloi abuzimet që në vitin 2019, por SPAK edhe pse ka qenë në dijeni e ka zvarritur hetimin. Nisma Thurje në këtë vit bëri padinë dhe u deshën 3 vite që SPAK të kërkojë masa sigurie...
Kontrolli i Lartë i Shtetit ishte institucioni që zbuloi i pari abuzimet me koncesionet në shëndetësi. SPAK në akuzat që ka ngritur ndaj ish-zv/ministrit Rapaj dhe emrave të tjerë të akuzuar përmend edhe këtë raport, i cili në fakt e tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë të mirëfilltë korruptive.
Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi që ka kryer në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me objekt “financiar dhe përputhshmërie” për periudhën nga data 01.01.2018 deri më datën 31.07.2019 ka gjetur një sërë shkeljesh. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar aplikohet nga koncesionarët në shërbimin e “CheckUp” dhe atë të “Sterilizimit” ndërsa në shërbimin e “Hemodializës” nuk aplikohet . Ky fakt sipas KLSh-së përbën shkelje të ligjit të taksave.
Nga auditimi rezultoi se, në dy nga tre kontratat për ofrimin e shërbimeve shëndetësore tashmë të implementuara, shoqëritë koncesionare aplikojnë TVSH në masën 20% mbi çmimin e kontraktuar.
Sipas KLSH, aplikimi i TVSH-së mbi vlerën e shërbimit të faturuar nga ana e koncesionarit për këto shërbime shëndetësore, bie në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar neni 51/c Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm i cili përcakton se, “Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja transaksionet me interes të përgjithshëm si më poshtë: 5 c) furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe veprimeve të lidhura ngushtë me to, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të shtetasve, përfshirë parandalimin, diagnozën, trajtimin, kurimin e sëmundjes apo çrregullimeve shëndetësore dhe rehabilitimin, nga institucionet shëndetësore publike ose private, të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shëndetësor;”.
Për të dyja koncesionet KLSH ka llogaritur një faturë dëmi afro 800 mln lekë.
Skandali tjetër i zbuluar është se institucionet publike kanë qenë në shërbim të koncesionarit. “Autoriteti i siguron Koncesionarit energji elektrike, uji, avull, vepra civile, impiante etj, me shpenzime në ngarkim të Autoritetit” i është shtuar dhe furnizimi me energji elektrike i koncesionarit të sterilizimit duke rënduar shpenzimet e SUT, e njëjta situatë dhe për furnizimin me ujë”, thuhet në raport sa i takon nja auditimi në Spitalin e Traumës.
Ndërsa në një auditim në FSDKSH, KLSH ka konstatuar se për gjithë periudhën e implementimit të kësaj kontrate, nuk është miratuar udhëzimi nga për monitorimin e këtij shërbimi, me gjithë kërkesat e vazhdueshme sidomos nga DAPSHET dhe nga Drejtoria Ekonomike e Fondit, nuk është realizuar kjo kërkesë. Sipas KLSH, deri në fund të vitit 2019 është vazhduar me monitorimin e këtij shërbimi vetëm shkresor, pa një udhëzim specifik për verifikimin dhe kontrollin fizik të këtij shërbimi.
KLSH i zbuloi abuzimet që në vitin 2019, por SPAK edhe pse ka qenë në dijeni e ka zvarritur hetimin. Nisma Thurje në këtë vit bëri padinë dhe u deshën 3 vite që SPAK të kërkojë masa sigurie. Skandali është se përveç vonesës, u amnistua personi kyç i aferës, ministri i Shëndetësisë. Vetë Ilir Beqaj ja hodhi paq, duke qëndruar jashtë burgut. /Pamfleti
Lini një Përgjigje