Julia Emiri është drejtuesja e re e Këshillit Kombëtar të PD-së. Pas numërimit të votave rezultoi se Emiri ka marrë mbështetjen e 207 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, kundrejt 83 votave të kandidates Silva Hasaj. Të dy emrat që garuan për kreun e Këshillit Kombëtar u dhanë nga Sali Berisha, ndërsa nuk dihet nëse ato janë zgjedhje e tij, ose jo.
Hasa garoi për deputete në Qarkun e Fierit, pjesë e asaj që konsiderohej lista e hapur, ndërsa Emiri njihet për angazhimet e saj në protestat e thirrura nga Partia Demokratike, kryesisht ato të organizuara para Bashkisë së Tiranës.
Këshilli Kombëtar i PD-së drejtohej nga Edi Paloka, i cili u zgjodh në këtë pozicion gjatë kohës që PD drejtohej nga Lulzim Basha, por edhe më pas, kur drejtimin e mori Sali Berisha. Paloka njoftoi pak ditë më parë se nuk do të garonte për këtë pozicion.
Në fillim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha njoftoi se drejtimi i Këshillit Kombëtar të ishte në dorë të një gruaje.
"Tani, në përputhje me nenin përkatës të statutit, do paraqes para jush propozimet, nga të cilat ju do zgjidhni ata që vlerësoni se e meritojnë më shumë sipas jush. Është menduar që Këshilli Kombëtar të drejtohej nga një zonjë dhe janë propozuar dy kandidatura. Zonja Julia Emiri dhe zonja Silva Hasaj", tha Berisha.
Lini një Përgjigje