Katër kundërshtarët kryesorë të Uashingtonit nuk kanë krijuar një aleancë formale, por po zhvillojnë një rrjet bashkëpunimi ushtarak, teknologjik dhe ekonomik që po ndryshon ekuilibrat globalë...
Katër kundërshtarët kryesorë të Shteteve të Bashkuara (Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut) po ndërtojnë gradualisht një formë të re bashkëpunimi strategjik, e cila sipas analistit amerikan Thomas Wright përfaqëson një nga sfidat më serioze për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare amerikane në dekadat e fundit.
Në analizën e botuar nga revista Foreign Affairs, Wright argumenton se, edhe pse këto vende nuk kanë krijuar një aleancë të përbashkët sipas modeleve tradicionale ushtarake, niveli i koordinimit që kanë arritur është i mjaftueshëm për të ndryshuar ekuilibrat ndërkombëtarë dhe për të kufizuar aftësinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të ushtruar presion politik, ekonomik dhe ushtarak.
Analiza rendit disa zhvillime që ilustrojnë ritmin e përshpejtuar të këtij bashkëpunimi.
Në qershor 2026, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi vizitën e tij të parë jashtë vendit për atë vit në Korenë e Veriut. Gjatë takimit me Kim Jong Un, të dy udhëheqësit ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh, pa përmendur çështjen e denuklearizimit të Gadishullit Korean.
Disa javë më parë, presidenti rus Vladimir Putin kishte realizuar vizitën e tij të 25-të zyrtare në Kinë, ku u nënshkruan 20 marrëveshje që mbulojnë bashkëpunimin në tregti, teknologji dhe ekonomi.
Në të njëjtën kohë, raportime mediatike pretenduan se Pekini dhe Moska i kishin ofruar Iranit mbështetje indirekte gjatë konfliktit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë informacione satelitore mbi pozicionet amerikane në rajon, lëndë shtytëse për raketa dhe dronë të avancuar. Këto zhvillime nuk duhet të shihen si episode të izoluara, por si pjesë e një prirjeje të qëndrueshme drejt integrimit strategjik.
Pse nuk bëhet fjalë për një "Bosht" të ri
Shumë analistë e minimizojnë rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke argumentuar se katër vendet nuk kanë nënshkruar një traktat të përbashkët mbrojtjeje dhe vazhdojnë të kenë interesa të ndryshme.
Edhe Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026 i komunitetit amerikan të inteligjencës e përshkruan bashkëpunimin si të kufizuar dhe kryesisht dypalësh. Pikërisht kjo strukturë joformale përbën avantazhin kryesor të këtij rrjeti.
Ndryshe nga aleancat tradicionale, marrëveshjet dypalëshe janë më të lehta për t'u negociuar, mund të mbahen larg vëmendjes publike, ofrojnë fleksibilitet më të madh politik dhe përshtaten sipas interesave të secilit partner.
Pyetja nuk është nëse është krijuar një aleancë e re autoritare, por nëse ky rrjet bashkëpunimi mund të prodhojë efekte strategjike të krahasueshme ose edhe më të mëdha se një aleancë formale. Përgjigjja e tij është pozitive.
Lufta në Ukrainë ndryshoi dinamikën
Analiza e botuar në ForeignAffairs identifikon pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022 si pikën e kthesës. Pas vendosjes së sanksioneve të gjera perëndimore dhe konsumimit të rezervave ushtarake, Rusia u detyrua të kërkonte partnerë të rinj për furnizime dhe mbështetje teknologjike. Kjo krijoi kushtet për një bashkëpunim shumë më të thellë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën.
Pheniani fillimisht tregoi kujdes, por gjatë vitit 2023 u shndërrua në një nga furnizuesit më të rëndësishëm të Rusisë. Koreja e Veriut dërgoi miliona predha artilerie, raketa balistike dhe pajisje të tjera ushtarake.
Në këmbim, Rusia ndihmoi në modernizimin e satelitëve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe kapaciteteve të tjera ushtarake të Phenianit, ndërsa zgjeruan edhe bashkëpunimin ekonomik. Në vitin 2024, dy vendet nënshkruan një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë.
Më pas, Kim Jong Un dërgoi mbi 12 mijë ushtarë në mbështetje të operacioneve ushtarake ruse, duke shënuar dislokimin më të madh të forcave koreano-veriore jashtë territorit të tyre.
Irani u bë partner kyç i Rusisë dhe kontributi i Kinës
Autori vëren se Irani fillimisht furnizoi Rusinë me dronë Shahed, të përdorur gjerësisht kundër infrastrukturës ukrainase. Më pas bashkëpunimi u zgjerua me raketa balistike, instruktorë ushtarakë dhe ekspertizë teknike. Sot, sipas analizës, Rusia dhe Irani bashkëfinancojnë dhe prodhojnë dronë iranianë në zonën industriale Alabuga në territorin rus.
Edhe pse Pekini nuk ka dërguar drejtpërdrejt armë, Wright argumenton se mbështetja kineze ka qenë vendimtare për industrinë ushtarake ruse. Kina furnizon Rusinë me mikroçipa, makineri industriale, nitrocelulozë për prodhimin e municioneve, komponentë optikë dhe teknologji me përdorim të dyfishtë.
Këto furnizime kanë ndihmuar Moskën të rindërtojë bazën industriale të mbrojtjes shumë më shpejt nga sa do të ishte e mundur në mungesë të tyre. Paralelisht janë zgjeruar patrullimet e përbashkëta ajrore, stërvitjet detare dhe bashkëpunimi operacional. Reuters raportoi gjithashtu se në korrik 2025 Rusia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje të fshehtë për trajnimin e personelit ushtarak në përdorimin e dronëve.
Çfarë fitojnë partnerët nga Rusia
Marrëdhënia nuk është njëkahëshe. Rusia po transferon tek partnerët e saj teknologji ushtarake dhe përvojë operacionale, përfshirë teknologji hapësinore, raketore, bërthamore dhe nëndetësesh. Komuniteti amerikan i inteligjencës vlerëson se këto transferime mund të përshpejtojnë ndjeshëm zhvillimin e programeve ushtarake të Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut.
Katër vendet po zhvillojnë gjithashtu mekanizma për të reduktuar ndikimin e sanksioneve perëndimore. Sipas Komisionit SHBA–Kinë për Sigurinë Ekonomike dhe Tregtare, ato përdorin pastrim parash, tregti me këmbim mallrash, flotë "hije" cisternash, transferime teknologjie, rrjete alternative furnizimi dhe prodhim lokal për të shmangur kufizimet ndërkombëtare.
Institucione si BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait shërbejnë, sipas autorit, si platforma diplomatike për forcimin gradual të këtij bashkëpunimi dhe promovimin e alternativave ndaj institucioneve të udhëhequra nga Perëndimi.
Krahasimi me aleancat historike dhe raportet Xi-Putin
Historia tregon se aleancat autoritare nuk kanë qenë domosdoshmërisht efektive. Ai kujton se Gjermania naziste, Japonia dhe Italia kishin nënshkruar Paktin Trepalësh, por nuk zhvilluan planifikim të përbashkët ushtarak. Gjermania nuk e informoi Japoninë për pushtimin e Bashkimit Sovjetik, ndërsa Japonia nuk e njoftoi Gjermaninë për sulmin ndaj Pearl Harbor. Boshti nuk realizoi asnjë operacion të përbashkët ushtarak. Edhe aleanca kino-sovjetike e pasluftës u dobësua nga rivaliteti politik dhe mosmarrëveshjet mes Mao Ce Dunit dhe udhëheqjes sovjetike.
Marrëdhënia aktuale mes Kinës dhe Rusisë është ndryshe. Xi Jinping dhe Vladimir Putin janë takuar më shumë se 40 herë dhe e përshkruajnë bashkëpunimin e tyre si një "partneritet pa kufij".
Edhe pse ekzistojnë mosbesime reciproke dhe tensione në nivele të ndryshme të administratave dhe shoqërive të tyre, Wright vlerëson se të dy liderët mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj këtij partneriteti dhe menaxhojnë mosmarrëveshjet në mënyrë që të mos cenojnë objektivat strategjikë.
Pasojat për SHBA-në
Ky bashkëpunim ka disa pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë amerikane. Konfliktet rajonale mund të marrin mbështetje indirekte nga partnerët e tjerë të këtij rrjeti. Transferimet teknologjike mund të ndryshojnë ekuilibrat ushtarakë në rajone të ndryshme. Sanksionet ekonomike bëhen më pak efektive për shkak të rrjeteve alternative të furnizimit.
Njëkohësisht rritet rreziku që SHBA të përballet me disa kriza të njëkohshme, nëse një konflikt me njërin prej këtyre vendeve shfrytëzohet nga të tjerët për të avancuar interesat e tyre.
Uashingtoni ka pak mundësi ta shpërbëjë këtë bashkëpunim, për sa kohë udhëheqësit aktualë mbeten në pushtet. Megjithatë, forcimi i sanksioneve dhe kontrolleve të eksporteve, publikimin e bashkëpunimeve të fshehta, angazhimin e vendeve të treta për të ushtruar presion diplomatik, kufizimin e zgjerimit të këtij rrjeti në organizatat ndërkombëtare, përmirësimin e mbledhjes së informacionit nga shërbimet inteligjente dhe koordinimin më të ngushtë me aleatët.
Por, Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut nuk përbëjnë një aleancë klasike ushtarake dhe nuk ka gjasa të ndërmarrin një sulm të koordinuar kundër Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, niveli i bashkëpunimit që kanë ndërtuar në fushat ushtarake, teknologjike, ekonomike dhe diplomatike përfaqëson një nga format më të avancuara të koordinimit mes fuqive autoritare në historinë moderne. Për këtë arsye, ai argumenton se Uashingtoni duhet ta trajtojë këtë zhvillim si një sfidë strategjike afatgjatë, e cila kërkon një përgjigje të qëndrueshme dhe të koordinuar me aleatët. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje