TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Maj 2026, 21:55

A ishte kompania “Abissnet” e Koço Kokëdhimës ofruesja e internetit të call centerave mashtrues?

Shkruar nga Pamfleti

A ishte kompania “Abissnet” e Koço Kokëdhimës

Prokuroria e Tiranës ka konfirmuar zyrtarisht se ka komunikuar me "shoqëri të internetit" për të identifikuar përdoruesit fundorë të dy IP-ve që çuan te zhvatja prej 50 milionë eurosh. Asnjë emër ofruesi nuk është bërë publik. Pamfleti ka verifikuar infrastrukturën teknike dhe ngre pyetjet që zyrtarët shqiptarë po shmangin

Më 13 prill 2026, Prokuroria e Tiranës goditi tre call centera në kryeqytet dhe arrestoi dhjetë persona në operacionin që zbuloi mashtrimin prej 50 milionë eurosh ndaj qytetarëve të Bashkimit Evropian. Njoftimi zyrtar i Prokurorisë mbi procedimin penal nr. 3377 përmban një detaj teknik me peshë të madhe hetimore: hetuesit “nga komunikimet zyrtare me shoqëri të internetit në Shqipëri zbuluan përdoruesit fundorë të këtyre IP-ve, që kanë qenë funksionale të paktën prej nëntorit të vitit 2023”. Megjithëse 26 milionë euro iu zhvatën vetëm 150 viktimave austriake përmes këtyre linjave, asnjë prej këtyre shoqërive të internetit nuk është emërtuar publikisht në tri javët pas operacionit.

Heshtja institucionale mbi identitetin e ofruesit ka kuptim sipas sekretit hetimor, por nuk shuan detyrimin gazetaresk për të bërë pyetjen që mungon në komunikatat zyrtare. Tregu shqiptar i internetit dominohet nga pesë operatorë kryesorë: Albtelecom, One Albania, Digicom, Abissnet sh.a. dhe disa operatorë rajonalë më të vegjël.

Cili prej tyre kishte kontratë aktive me gjashtë kompanitë fasadë të identifikuara nga Prokuroria; “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream Creative” dhe “Koppa Network”; si dhe me subjektet guackë të ndërmjetësit Eduard Dalla, i cili krijonte kontrata interneti në emër të personit fiktiv “Jose Santos”? Deri sot, përgjigjja mbetet rreptësisht në dosjen hetimore.

Pamfleti ka kryer një verifikim teknik në bazat publike të Hurricane Electric BGP Toolkit dhe RIPE NCC, regjistruesi rajonal i internetit për Evropën. Sipas këtyre të dhënave, Abissnet sh.a. operon me dy numra sistemi autonom (AS35047 dhe AS207368) dhe zotëron shtatë blloqe kryesore IPv4 me rreth 18,432 adresa publike gjithsej. Një prej këtyre blloqeve, 185.9.44.0/24, është etiketuar shprehimisht “Abissnet Business Customers” — pikërisht segmenti që u ofron IP statike klientëve biznes, produkti i domosdoshëm për çdo call center profesional. Të dhënat janë të aksesueshme dhe të verifikueshme nga kushdo në kohë reale. Pyetja teknike që vijon t’i takojë vetëm Prokurorisë së Tiranës është: dy IP-të e dyshimta të identifikuara nga autoritetet austriake bëjnë pjesë në blloqet e Abissnet apo në blloqet e një ofruesi tjetër?

Një pjesë kritike e dosjes së Prokurorisë së Tiranës identifikon Eduard Dallën, 48 vjeç, si “ndërmjetës midis call centerave dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimit të internetit”. Prokuroria vërteton se Dalla “lidhte kontrata interneti në emër të kompanive të tij fiktive të regjistruara në QKB, për të vështirësuar identifikimin nëpërmjet IP-ve”.

Detaji që çau hetimin: numri personal i telefonit të Eduard Dallës rezultoi i regjistruar në “një kontratë interneti në emër të personit fiktiv Jose Santos”. Këto të dhëna ngrenë dy pyetje të pashmangshme: cila ISP shqiptare lëshoi një kontratë në emër të një personi fiktiv pa verifikuar identitetin dhe cila ISP fakturonte çdo muaj një konsulencë marketingu për trafik interneti të përshtatshëm për 100 deri në 450 stacione pune?

Burimet pranë hetimit tregojnë se kompania kryesore që mund të kishte ofruar shërbim interneti për pjesën më të madhe të call centerave të prekur nga operacioni i 13 prillit është Abissnet sh.a., një prej operatorëve më të vjetër në tregun shqiptar të internetit, historikisht i lidhur me figurën e biznesmenit dhe ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima.

Ky informacion pret konfirmim ose kundërshtim zyrtar. A ka pasur kompania kontrata aktive shërbimi interneti me gjashtë subjektet e identifikuara nga Prokuroria si fasada call centerash; a ka pasur kontrata me Eduard Dallën ose me kompani të administruara prej tij; a është kontaktuar zyrtarisht nga Prokuroria e Tiranës ose Drejtoria e Krimeve Kibernetike; dhe çfarë procedurash verifikimi zbaton për klientët biznes që kërkojnë IP statike.

Kuadri ligjor në fuqi përcakton detyrime specifike për ofruesit. Ligji nr. 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe Rregullorja nr. 47/2017 e AKEP-it u kërkojnë ofruesve të identifikojnë abonentët e tyre, por nuk i detyrojnë të verifikojnë natyrën reale të aktivitetit përtej dokumentacionit të rregullt të QKB-së.

Formalisht, kur Eduard Dalla paraqitej me NIPT të vlefshëm dhe kontratë qiraje, ofruesi i internetit nuk kishte detyrim ligjor të kontrollonte nëse brenda zyrës operonin 50 apo 100 stacione pune. Megjithatë, praktikat e mira komerciale dhe vetë rregulloret e AKEP-it për sigurinë e rrjetit kërkojnë raportim te autoritetet kur trafiku i një abonenti është anormal për llojin e deklaruar të aktivitetit.

Pyetja që mbetet për AKEP-in: a ka ndonjë ISP shqiptare që ka depozituar një raportim për aktivitet të dyshimtë lidhur me këto call centera zhvatës dhe, nëse jo, pse?

Pyetja e titullit nuk është akuzë. Pyetja është hapi i parë i një ushtrimi hetimor që duhet t’u drejtohet zyrtarisht Prokurorisë së Tiranës, AKEP-it dhe drejtuesve aktualë të Abissnet sh.a. /Pamfleti

abissnet call center

3 Komente

  1. T
    Trust

    Ikni naten me hene nga pordhshteti i pordhkriminelave ...sa me larg aq me mire

    1. V
      Vk

      Nuk besoj se jane bashkefajtore ISP-te! Ato internetin kane produktin qe shesin. Kuptohet, nese prokroria kerkon te dhena per IP-te qe jane perdorur, ISP duhet te jete bashkepunuese.

      1. U
        Urë e Hasaj Beut, urë prej guri, i qesh buza i qes

        E ç’rëndësi ka kjo se kush i furnizoi me internet. Është njësoj si të furnizosh me karburant, një krimimel që nuk e njeh. Rëndësi ka se kush i liçensoi ? A duhen lipensuar ? A duhet të vazjdojnë të punojnë call center ? Pse duhet të vazjdojnë ? Italia i ka mbyllur për shëmbull. Ok nderuar Zef ?

        Lini një Përgjigje