TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Tetor 2023, 07:35

Aksidenti tragjik në Itali, shqiptari tregon momentin kur autobusi ra nga mbikalimi: Shpëtova 2 fëmijë, askush nuk më ndihmoi; italianët bënin foto

Shkruar nga Pamfleti

Aksidenti tragjik në Itali, shqiptari tregon momentin kur autobusi ra nga

Një shqiptar ka qenë dëshmitar i aksidentit tragjik të ndodhur të martën e 3 tetorit 2023 në Mestre të Venecias në Itali, ku një autobus ra nga mbikalimi dhe përfundoi mbi linjën hekurudhore duke shkaktuar 21 viktima.

Bujar Bucaj i cili është pronar i një lokali në atë zonë ka parë të gjithë skenën nga vendi ku punonte dhe menjëherë ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë.

“Po punoja në restorantin tim që është përballë hekurudhës. Nga vetrata e lokalit pashë autobusin që u rrëzua. Kur pashë tymin e madh vrapova. Kalova shinat e hekurudhës dhe shkova atje. Pashë autobusin e rrëzuar dhe kishte njerëz që bërtisnin”, tha ai.

Bujari tregon se u përpoq të ndihmonte por nuk pati mbështetje nga persona të tjerë që shihnin dhe bënin foto ose telefononin urgjencën duke pritur ardhjen e tyre.

‘Meqë vij nga një vend ku kam jetuar luftën e di çdo të thotë kur njerëzit janë në vështirësi. Vrapova vetëm. Kishte makina të tjera, ndalonin por askush nuk vinte të më ndihmonte. Unë kërkoja ndihmë.

Ishte një vajzë të cilën arrita ta largoja. Më pas dolën 3 persona nga autobusi por nuk di si ia bënë. Ishte një vajzë 16 vjeçe, një djalë 20 vjeçar dhe një 40 vjeçar. Këto kanë arritur të dalin para se të vinte policia,” tregon ai.

Shqiptari tregon se ka kërkuar ndihmë por askush nuk i është përgjigjur.

"Vëlla e motër. Vajza ishte jo më shumë se 3 vjeçe ndërsa vëllai ishte gati 10 vjeç. Kërkonin të ëmën. Unë më pas u panikosa pasi isha i vetëm në mes të atij tymi. Më pas ndodhi dhe zjarri. Kërkova ndihmë. Lart kishte njerëz që filmonin" u shpreh Bujar Bucaj.

 Bujari tregon se 12 minuta pas aksidentit ka ardhur një patrullë policie dhe më pas erdhën dhe zjarrfikësit, ndërsa dy të vegjlit e shpëtuar nga ai janë shtruar në spital.

Përpiqet të tregojë çfarë ka parë nga ai aksident tragjik.

“Restoranti im ka një vetratë të madhe xhami. Po shikoja trafikun kur pashë diçka që u rrëzua. Mendova se u rrëzua një urë, pasi shkaktoi një tym shumë të madh. Unë nuk kam parë flakë në momentin e parë. Zjarri shpërtheu pas 8-10 minutash”, thotë Bujar Bucaj hedh poshtë tezën se autobusi është përfshirë nga flakët përpara se të rrëzohej.

Aksident i rëndë u mori jetën 21 personave, mes tyre 3 fëmijë. Ndërkohë 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur, ku 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Prefekti i Venecias, Michele di Bari bëri të ditur se janë identifikuar të gjithë viktimat e aksidentit. Bëhet fjalë për 21 viktima: nëntë shtetas ukrainas, katër rumunë, tre gjermanë, një italian (shofer), një kroat, dy portugez dhe një afrikano-jugor.

aksident venecia

Lini një Përgjigje