Aktualitet 4 Mars 2024, 15:11

Akuzat e Berishës për dëbimin e Irena Gjokës nga Greqia, reagon KLGJ: Respektoni integritetin e gjyqtarëve!

Shkruar nga Pamfleti

Akuzat e Berishës për dëbimin e Irena Gjokës nga Greqia,

KLGJ ka reaguar ndaj akuzave që avokatë e ish-kryeministrit Berisha dhe ai vetë kanë hedhur ndaj gjyqtares së GJKKO Irena Gjoka.

Në deklaratën e tij Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon deklaratat ndaj gjyqtares Gjoka dhe ju ka bërë thirrje palëve që të respektojnë integritetin e gjyqtarëve.

Më tej thuhet se këto deklarata ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Në fund, KLGJ theksoi se dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private”, thuhej në njoftimin e KLGJ.

klgj