Aktualitet11 Dhjetor 2023, 13:20

Akuzohet për deklarim të rremë pasurie, mbyllen hetimet për ish-prokurorin Petrit Fusha

Shkruar nga Pamfleti
Akuzohet për deklarim të rremë pasurie, mbyllen hetimet për
Ish prokurori Petrit Fusha

Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-prokurorin Petrit Fusha, i hetuar për deklarim të rremë të pasurisë.

Hetimet ndaj Fushës kanë filluar në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2020, pasi disa kallëzime ndaj tij dhe subjekteve të tjera u referuan për kompetencë në këtë prokurori nga SPAK.

Ish-prokurori akuzohet për “Refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Njoftimi i Prokurorisë

Në funksion të hetimeve të procedimit penal nr. 2733/2019, në ngarkim të të pandehurit P.F., rezulton se janë përfunduar hetimet lidhur me akuzën “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pgr. 2, i Kodit Penal dhe në datën 05.12.2023 çështja i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për shqyrtim.

Shtetasi P. F., ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit iu nënshtrua procesit të rivlerisimit.

Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin P.F., ku u kërkua të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar. Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marjen e tij në cilësinë e të pandehurit.

Kujtojmë se Petrit Fusha dha dorëheqjen si prokuror më datë 27 shkurt të 2019, pasi Komisioni i Vetingut i dërgoi dosjen e hetimit të pasurisë së tij si dhe i kaloi barrën e provës për të provuar të kundërtën e konstatimeve të KPK-së.

“Nga hetimi i çështjes, rezulton së shtetasi Petrit Fusha, në deklaratat periodike vjetore dhe gjatë procesit të rivlerësimit, ka deklaruar rrethana të rreme në lidhje me pasuritë që ai disponon dhe që kishte në pronësi, për mënyrën e fitimit të pronësisë mbi këto objekte dhe sipërfaqe toke, si dhe ka kryer veprime fiktive në lidhje me dhënien me qira të disa objekteve në pronësi të tij, pasi ka rezultuar se qiramarrësit nuk kanë patur aftësi financiare për të paguar të ardhurat nga qiraja si dhe shtetasi Petrit Fusha nuk ka deklaruar shpenzime të kryera  në lojërat e fatit gjatë viteve 2010 deri në 2016, shpenzime që kapin vlera të konsiderueshme financiare. Lidhur me rastin në fjalë, prokuroria po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të çështjes penale”, njofton Prokuroria.

Po cilës pasuri i referohet Prokuroria e Durrësit? Pasurie kryesore dhe më e dyshimtë e Petrit Fushës është Resorti “MAI-TAI” me sipërfaqe mbi 2 mijë m2 në Farkë.

Skema e deklaruar për ndërtimin e "Mai Tai" ngre dyshime të forta nëse është bërë apo jo me para të ligjshme, ndërsa prokuroria ka zbuluar se Fusha ka luajtur edhe bixhoz për 6 vite me radhë me para të pajustifikuara.

Në lojë daja, babai dhe motra

Në deklaratën fillestare të pasurisë, në vitin 2003, Petrit deklaron se daja i ka dhuruar një tokë bujqësore, me sipërfaqe 2000 m2, në fshatin Mjull-Bathore të Tiranës. Mbi këtë tokë, ish-prokurori Fusha ka ndërtuar një godinë, projektuar për hotel, me sipërfaqe ndërtimi 1117.3 m2. Fillimisht, kati i parë i godinës ka funksionuar si bar-restorant.

Në deklaratën e pasurisë, Fusha thotë se paratë për ndërtimin e godinës i ka dhënë babai dhe motra, konkretisht me 11 500 000 lekë ka kontribuar babai dhe me 6 000 000 lekë ka kontribuar motra. Pra, Petrit Fushës i ka dhënë babai dhe motra 157 mijë USD. Vlera e godinës është 34 500 000 lekë ose rreth 300 mijë USD.

Për të mbuluar tërësisht koston e ndërtimit, Fusha thotë se ka marrë një kredi 13 600 000 lekë si dhe ka shitur një tokë bujqësore me sipërfaqe 3600 m2. Disa vite më vonë, pikërisht në vitin 2007, ish-prokurori Fusha deklaron se ka shtuar vlerën e godinës me një pishinë dhe ambiente ndihmëse në objektin bar-restorant, ku investimi shtesë është 25 000 000 lekë.  Për shtimin e ambienteve ndihmëse, kreu i Prokurorisë së Tiranës deklaron se ka marrë një kredi me vlerë 235 mijë euro me interes 8 për qind.

Ndërkaq, në vitet 2003-2006, bashkëshortja e Petrit Fushës deklaron fitime nga bar-restoranti në shumat 4 100 000 lekë, 4 900 000 lekë, 5 000 000 lekë dhe 4 900 000 lekë. Në vitin 2007 dhe në vazhdim, zonja e ka dhënë restorantin me qira, me 50-60 mijë euro në vit. Për 10 vite, 2007-2017, çifti ka fituar mbi 500 mijë euro vetëm nga qiraja e restorantit.  Gjatë vitit 2007, Fusha thotë se daja i ka falur një tjetër pasuri të paluajtshme, konkretisht i ka dhuruar 2050 m2 tokë arë.

 Më 02.07.2015, ai thotë se prindërit i kanë dhuruar tokë arë me sipërfaqe 1750 m2 në Tiranë, me vlerë 600 000 lekë. Po sipas deklaratës fillestare të pasurisë, Fusha rezulton pronar i një tjetër toke bujqësore me sipërfaqe 700 m2, me vlerë 1 000 000 lekë asokohe si dhe pronar i një apartamenti banimi me sipërfaqe 115 m2.

Vetingu e përjashtoi Petrit Fushën nga drejtësia

Në 4 prill të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari, ka vendosur që të ndërpresë procesin e Vetingut dhe për përjashtojë për 15 vjet nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Petrit Fusha, më parë kreu i Prokurorisë së Tiranës. Dy muaj më vonë, Komisioni i Vetingut e referoi rastin e Fushës në prokurori.

Petrit Fusha i ka dhënë dorëheqjen një ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka dërguar rezultatet e verifikimit si dhe ka kaluar barrën e provës për të provuar të kundërtën e konstatimeve të KPK. Konkretisht, KPK i ka dërguar rezultatet e verifikimit më datë 27 shkurt të 2019, ndërsa Petrit Fusha ka paraqitur dorëheqjen në datën 27 shkurt të 2019.

Në njoftimin e dorëheqjes, Petrit Fusha shprehej se “Pas 32 viteve pune në shërbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë. Koha në të cilën po jetojmë është tejngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta”.

Petrit Fusha ka ushtruar detyrën e prokurorit nga viti 1997 deri më 28 shkurt 2019, kur vendosi të largohej nga sistemi. Ai ka punuar në prokurorinë e Tiranës për një periudhë 15 vjeçare dhe u emërua drejtues i kësaj prokurorie në vitin 2013. Në vitin 2017, Fusha u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme.

Raporti: Vëllai i Fushës, trafikant droge

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka referuar njw raport sekret nw Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pwr figurën e Petrit Fushës. Në raport thuhet se ish kryeprokurori i Tiranës kishte fshehur dënimin e vëllait të tij, Sulejman Shkalla, për trafikim droge në Spanjë.

“Mosdeklarimi nga ana e subjektit për përfshirje në veprimtari të krimit të organizuar të ‘personit të lidhur’…, i cili po vuan dënimin në Castellon 2/Spanjë, për trafikim të narkotikëve, e ngarkon subjektin e rivlerësimit Petrit Fusha me përgjegjësinë e fshehjes së fakteve dhe të plotësimit të pasaktë dhe me vërtetësi të deklaratës për kontrollin e figurës…. Për subjekti Petrit Fusha administrohen informacione konfidenciale dhe informacione të tjera, nga të cilat ngrihen dyshime të arsyeshme për aplikimin e tij apo për kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar…Në këndvështrimin e përgjithshëm të kontrollit të pastërtisë së figurës së një subjekti rivlerësimi, në rastin tonë në cilësinë e prokurorit…e bën subjektin e rivlerësimit Petrit Fusha një individ që mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale…”, thuhet në raport.

deklarim te rreme pasurie petrit fusha