
GJKKO ka shtyrë seancën për Rezart Taçin, i cili akuzohet për pastrimin e 18.4 milionë eurove të mafies italiane.
Shkak mësohet të jetë bërë kërkesa e avokates së Taçit, Ilenja Mëhilli, ndërsa seanca e rradhës pritet të jetë më datë 30 janar ora 12:00.
Mehilli bëri kërkesë ne seancën e kaluar për pushimin e çështjes, bazuar edhe në kërkesën e prokurorit që ka veçuar çështjen për italianët.
Kujtojmë se më datë 12 janar SPAK mbylli hetimet për biznesmenin Rezart Taçi, kunatin e tij dhe disa shtetas italianë.
Procesi ndaj biznesmenit ishte pezulluar për një vit për shkak se ai nuk është gjetur për t’u arrestuar në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij.
GJKKO ka dënuar me 10 vite burg shoferin Bledar Lilo dhe me 11 vite burg kunatin, Artur Ballën, të cilët janë të akuzuar për “pastrim parash”.
Biznesmeni Taçi dhe kunati i tij, Artur Balla, në bashkëpunim me shtetasit Bledar Lilo, Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, akuzohen për pastrim parash.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me Taçin transferuan 18.4 mln euro në një bankë të nivelit të dytë, para që dyshohen se i përkasin organizatës mafioze “Cosa Nostra”.
Dosja ndaj Rezart Taçit është ndarë për shkak së është në kërkim.
Ndaj Taçit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Ndërkohë biznesmeni, Rezart Taçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli ka organizuar një skemë për pastrimin e parave në disa vende të botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
18.4 mln euro të mafies italiane 'Cosa Nostra' u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. Sipas SPAK, Taçi do pastronte paratë përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen. Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.
Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia. 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e bllokoi operacionin.
Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.
Lini një Përgjigje