TAGS-AT E JAVËS

Sport16 Korrik 2026, 21:27

Vazhdon “mallkimi” me trajnerët e huaj, as Botërori 2026 nuk arriti ta thyejë traditën

Shkruar nga Pamfleti
Vazhdon “mallkimi” me trajnerët e huaj, as Botërori 2026
Trajnerët e huaj në Botëror

Tradita e trajnerëve vendas në Kupën e Botës mbetet e paprekur. Pas eliminimit të Anglisë së drejtuar nga gjermani Tomas Tuhel, është konfirmuar se edhe edicioni i vitit nuk do të nxjerrë për herë të parë një trajner të huaj kampion bote.

Në historinë e 22 edicioneve të deritanishme të Kampionatit Botëror, të gjitha kombëtaret fituese janë udhëhequr nga trajnerë të së njëjtës kombësi me ekipin që drejtonin. Italia e Marçelo Lippit, Gjermania e Hoakim Lëv, Franca e Didie Deshamp dhe të gjitha kampionet e tjera kanë pasur në stol trajnerë vendas.

Me largimin e Anglisë së Tuhel nga gara, kjo statistikë mbetet e pandryshuar dhe “mallkimi” i trajnerëve të huaj është i destinuar të vazhdojë të paktën deri në Botërorin e vitit 2030. Finalja e këtij edicioni do të vendosë përballë Spanjën e Luis de la Fuente dhe Argjentinën e Lionel Skalonit, dy kombëtare të drejtuara nga trajnerë vendas.

Në Botërorin 2026 morën pjesë disa trajnerë të huaj, mes tyre Tomas Tuhel me Anglinë, Vinçenco Montela me Turqinë, Karlo Ançeloti me Brazilin, Fabio Kanavaro me Uzbekistanin, Mauricio Poçetino me SHBA-në, Julen Lopetegi me Katarin, Graham Poter me Suedinë dhe Rudi Garsia me Belgjikën.

Megjithëse Anglia e Tuhel arriti deri në gjysmëfinale, gjermani nuk renditet mes trajnerëve të huaj më të suksesshëm në historinë e Kupës së Botës. Vetëm dy teknikë të huaj kanë arritur ndonjëherë në finale: anglezi Xhorxh Rejnor me Suedinë në vitin 1958, i mposhtur nga Brazili i Peles, dhe austriaku Ernst Hapel me Holandën në vitin 1978, i cili u mund nga Argjentina. Asnjëri prej tyre nuk arriti të ngrejë trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.

Të gjithë trajnerët që kanë fituar një botëror

2022: Argjentina, Skaloni (Pujato, Argjentinë)

2018: Franca, Deshamp (Bajone, Francë)

2014: Gjermania, Lëv (Schönau im Schwarzwald, Gjermani)

2010: Spanja, del Boske (Salamanka, Spanjë)

2006: Italia, Lipi (Viarexhio, Itali)

2002: Brazili, Skolari (Paso Fundo, Brazil)

1998: Franca, Xhekit (Seil-sus-Kuzan, Francë)

1994: Brazili, Parreira (Rio de Zhaneiro, Brazil)

1990: Gjermania, Bekenbauer (Mynih, Gjermani)

1986: Argjentina, Bilardo (La Paternal, Argjentinë)

1982: Italia, Bearzot (Aielo del Friuli, Itali)

1978: Argjentina, Menoti (Rozario, Argjentinë)

1974: Gjermania, Shën (Dresden, Gjermani)

1970: Brazili, Zagalo (Maseio, Brazil)

1966: Anglia, Ramsej (Dagenham, Angli)

1962: Brazili, Moreira (Mirasema, Brazil)

1958: Brazili, Feola (San Paolo, Brazil)

1954: Gjermania, Herberger (Manheim, Gjermani)

1950: Uruguaji, Lopez (Montevideo, Uruguaj)

1938: Italia, Poco (Torino, Itali)

1934: Italia, Poco (Torino, Itali)

1930: Uruguaji, Supiçi (Kolonia del Sakramento, Uruguaj)

trajnerët e huaj kupa e botës

Lini një Përgjigje