SPAK pranon dështimin përballë ortakut të Olsi Ramës...
Gjatë raportimit në Kuvend, Altin Dumani ka pranuar se SPAK nuk ka asnjë procedim penal ndaj Amant Josifit, i cili konsiderohet një nga personazhet kryesore të mashtrimeve përmes call center.
“Pamfleti” ka shkruar disa herë se Josifi është i lidhur me Olsi Ramën dhe SPAK ka frikë ta hetojë. Dumani sot e pranoi në sallën e Parlamenti se nuk ka asnjë procedim ndaj tij. Ai u justifikua me faktin se kur janë ndarë çështjet, u vendos që Josifi të procedohet nga Spanja.
“Faktikisht edhe më duket se edhe më vitin e kaluar janë pyetur për këtë rast, nuk e di nëse në seancë plenare apo në komision, por hetimi për këtë çështje penale, për këtë procedim penal ka qenë në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore e krijuar me autoritetet spanjolle, por edhe me autoritetet e tjera zbatues të vendeve të Bashkimit Europian. Si prokurori, sepse kështu punohet në skuadër të përbashkët hetimore, ka një marrëveshje se cilët do procedojë SPAK, cilët do procedojë Spanja, cilët Gjermania dhe cilët Franca, dhe është rënë dakord që për Amand Josifin do procedojë Spanja, siç është bërë, ka proceduar Spanja për të. Ne kemi proceduar për disa subjekte të tjera, të cilët janë arrestuar, janë hetuar dhe janë gjykuar, por kjo është pjesë normale e bashkëpunimit me autoritetet e huaja, sidomos në kuadër të skuadrës së përbashkët. Prandaj, është skuadër e përbashkët hetimore, ndajmë rolet, ndajmë subjektet dhe kontribuojmë në atë hetim të përbashkët”, tha Dumani.
Më 21 gusht, në Dubai u arrestua Erlind Çekaj, i shpallur në kërkim nga SPAK, si pjesë e grupit të sktrukturuar kriminal ruso-maltez “Milton”, në Shqipëri të drejtuar nga Amant Josifi, i cili nëpërmjet rrjetit Call-Center mashtroi e vodhi 19 mijë qytetarë të vendeve të BE.
I arrestuari Erlind Çekaj, administronte qendrën Call-Center “IT PumaTS/SM Company”, një nga 32 qendrat që kishte në pronësi Amant Josifi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër.
Ashtu si Erlind Çekaj, dhe pronari Amant Josifi u arratis e jeton në Dubai, qysh prej datës 22 nëntor 2022, kur me ndihmën e policisë shqiptare u fsheh dhe u lejua të kalonte kufirin në Rinas, duke i shpëtuar operacionit “Stuhia”, që Policia e Spanjës, EUROPOL e EUROJUST kryen në Shqipëri me policinë shqiptare e SPAK.
Por SPAK e policia, jo vetëm nuk e arrestuan Amant Josifin e Call-Center, por e fshehën dhe prej afro 2 vitesh nga arratisja e tij në Dubai, nuk po e shpallin në kërkim, megjithëse ai ka drejtuar grupin kriminal, që vidhte shtetas të vendeve të BE nëpërmjet rrjetit Call-Center.
Deri tani, SPAK ka arrestuar 57 anëtarë të grupit “Call-Center” të Amant Josifit e ka në kërkim 21 të tjerë, ndërsa bosin e tyre nuk e ka shpallur në kërkim, megjithëse e ka proceduar penalisht, ndërsa më 10 shkurt 2024, njoftoi se i ka sekuestruar 2.2 milionë Euro dhe pasuritë e bizneset. /Pamfleti
Te thuash turp eshte shume shume pak. Keta njerez jane te pa turpshem.
Mbrojne njeri tjetrin.