
Gjykata Kushtetuese do të shpallë sot në 17:00 vendimin për ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ditën e sotme në orën 17:00, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në një deklaratë për mediat do të sqarojë vendimin për padinë Erion Veliajt, i cili ka kërkuar anulimin e vendimit të qeverisë që e shkarkoi nga detyra si Kryetar i Bashkisë Tiranë.
Po ashtu, Gjykata do të shqyrtojë edhe dekretin e Presidentit që caktoi datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, për të parë nëse ai është në përputhje me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka pezulluar përkohësisht efektet e dekretit presidencial, që do të thotë se zgjedhjet e pjesshme në Tiranë nuk mund të mbahen derisa të merret vendimi përfundimtar.
“Ju njoftoj se sot, ora 17:00, Kryetarja e Gjykatës znj. Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj me objekt "Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore", për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore", për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”, njofton Kushtetuesja.
Seanca maratonë në Gjykatën Kushtetues për Erion Veliajn zgjati për rreth 7 orë ditën e premte dhe prezent ishte edhe vetë kryebashkiaku.
Që prej arrestimit më 10 shkurt, të premten ishte shfaqja e parë publike e Erion Veliajt, i cili mori dhe vetë fjalën gjatë parashtrimit të kërkesës së bërë prej tij për anulimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij, si dhe të dekretit që pasoi nga ana e presidentit Begaj, për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, i pezulluar nga vetë Gjykata.
Në seancë të gjitha palët shprehën pikëpamjet dhe argumentet e tyre lidhur me çështjen.
Veliaj kërkoi që Kushtetuesja të pranojë kërkesën e tij, duke argumentuar se shkarkimi nga Këshilli Bashkiak dhe nga Këshilli i Ministrave ishte i padrejtë, pasi mungesa e tij në krye të detyrës nuk ka ardhur nga dëshira, por nga pamundësia.
Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave kërkoi që të pranohet kërkesa për shkarkimin e Veliajt, me arsyetimin se ai është shkarkuar sipas ligjit, për shkak se qeveria i është bindur Këshillit Bashkiak për ta larguar nga detyra, pasi mungoi në punë për tre muaj, mbështetur në Ligjin për Qeverisjen Vendore.
Ndërkohë që Presidenca theksoi se nuk i takon të trajtojë konfliktin mes Qeverisë dhe Veliajt, por vetëm pjesën e dekretit, i cili është nxjerrë në bazë të procedurave administrative, pasi sipas përfaqësuesve të presidentit, dekreti për zgjedhjet në Tiranë është i bazuar në shkarkimin e bërë nga Këshilli i Ministrave.
Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë sot trupa kushtetuese.
Lini një Përgjigje