Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë të ndalimit për të dalë jashtë vendit për zv/kryeministren Belinda Balluku, teksa sa i takon ‘pezullimit nga detyra’ nuk ka marrë një vendim.
Gjykata e Posaçme vendosi ndaj saj pezullim nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit. Por edhe pse çështja shkoi në Kushtetuese dhe kjo e fundit pezulloi vendimin e GJKKO, vetë Balluku si subjekt ju drejtua Apelit duke kërkuar rrëzimin e masave të sigurisë.
Mësohet se Apeli vendosi të pezullojë shqyrtimin e masës ‘pezullim nga detyra’ për zv.kryeministren deri në momentin që do të shprehet Gjykata Kushtetuese. Sakaq Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
Nga ana tjetër, SPAK ka bërë një kërkesë në Kuvend ku kërkon heqjen e imuniteti për Ballukun, duke i hapur rrugë arrestimit të saj.
Sa u takon akuzave, Balluku akuzohet për abuzime me procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 lekë pa TVSH.
Ndërsa në shkresën drejtuar dje Kuvendit ajo është marrë e pandehur dhe për abuzime me të gjitha lotet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Sot në seancë mësohet se prokurori ka shkuar me prova të reja.
Dy të pandehur e tjerë, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli kërkuan heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe vendosjen e një masë më të butë, pasi pengohen të ushtrojne funksionet e tyre. Por Apeli nuk i ndryshoi masat ndaj tyre.
Lini një Përgjigje