Aktualitet30 Prill 2023, 10:42

“Kemi sakrifikuar gjithë jetën për të”, banorët e Bërxullës sërish në protestë: Duan të na fusin në burg

Shkruar nga Pamfleti

“Kemi sakrifikuar gjithë jetën për të”,

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë duke kundërshtuar projektin e aksit Thumanë-Kashar.

Banorët kërkojnë të drejtën e tyre, dëmshpërblimin për pronat e tyre sipas vlerës së tregut. Kryeplaku i fshatit, ka treguar se janë denoncuar nga policia e Vorës në Prokurori.

Banorët thonë gjithashtu se ndihen të rrezikuar, pasi duan t’i “fusin në burg”, për shkak të protestave të tyre. Sipas tyre, janë duke u bërë veprime jo legjitime nga ana e shtetit. Banorët protestojnë që prej muajit tetor, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Kërkojmë zgjidhje, marrëveshje e dialog, por këta nuk ulen që të na japin zgjidhje. Jam denoncuar në Prokurori së bashku me familjen. Turpin ta kenë ata që na kanë çuar në prokurori. Janë 5 familje, së bashku me fëmijë. Por është vendosur të mos procedohemi penalisht pasi në shpresën zyrtare të Prokurorisë thuhet se jemi në të drejtën tonë.

Jemi denoncuar nga Komisariati i policisë Vorë, duan të na zhdukin, të na fusin në burg, që të mos ketë njeri që të dalë në protestë. Unë do i kthejë denoncimin. Nuk jam sjellë asnjëherë kundra ligjit. Nuk i kemi krijuar askujt probleme, jam paditur për të dytën herë familjarisht. Një zonjë që hipi në shtyllë është paditur për këtë. Do shkoj në Hipotekë të martën për të gjitha procedurat që i kam çuar drejtorit të Hipotekës aty. Dosjet që kanë mangësi duhet të plotësohen. S’duam që të bëhen dokumente për të na mbyllur sytë, por të jetë e kompletuar.

Jam kundër votimit, të gjitha banorët e fshatit s’duhet të marrin pjesë në votime. Arsyeja dihet, 7 muaj nuk kemi një përgjigje se ç’do bëhet me këta banorë. Duhet të vijnë të ulen me ne, në publik në praninë e mediave. Të bëjnë deklarata për shtyptë na tregojnë se si do të zgjidhet.

Po protestojmë për të të drejtat tona. Gjurma është bërë me Google, jo me gjurmë në terren. Situata është bërë gangrenë, është maskaradë e madhe. As vetë nuk i japin zgjidhje, sepse i ka ngelur në dorë projekti. Do të rezistojmë deri në ditën e fundit, ky projekt na shkatërron neve si fshat. Kryeministri urgjentisht të vijë këtu, protesta do vazhdojë. Nuk dihet se si do të shkojnë punët.", tha një banorë.

Pavarësisht se ata morën një premtim nga drejtori i Kadastrës për zonën Kamzë-Vorë se pronat e tyre do certifikohen, ata kërkojnë një vlerësim të banesave me vlerën e tregut si dhe duan që shteti t’u gjejë tokën ku do stabilizohen.

Banorët u shprehën se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre duke u shtuar se shteti po hesht sepse po kryhet vjedhje ndaj tyre.

“Heshtin se e dinë që na takon dëmshpërblimi dhe rruga dytësore. Heshtja tregon vjedhje, shtet diktatorial. Kjo është vjedhje galopante, shpiku Edi Rama koncesion vetëm për të vjedhur popullin”, u shpreh njëri prej banorëve.

Ndërsa një tjetër banor u shpreh i vendosur për të mos u tërhequr nga protesta dhe tha se nuk do të lejojë askënd t’i shembë shtëpinë nëse nuk i jepet dëshmpërblimi sipas vlerës së tregut.

“Nuk ka burrë nëne të na mposhtë. Edhe ne si Luizi në Big Brother do fitojmë, do marrim fitoren. Nuk ka burrë nëne të ma shembë shtëpinë mua. Ose pozicionet e Ramës ose shtëpia ime. Se unë 10-15 vite kam, po të paktën fëmijët të mos rrinë në siklet”, shtoi ai.

Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak. Ata kanë kërkuar që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë hetimet për projektin. 

banore berxulle proteste qeveri burg