TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Mars 2023, 16:26

Berisha nesër në protestë, policia blindon Kryeministrinë; bllokohen disa akse rrugore

Shkruar nga Pamfleti

Berisha nesër në protestë, policia blindon Kryeministrinë;

Policia do të jetë nesër në gatishmëri për protestën e Sali Berishës. Ish-kryeministri do të nxjerrë sërish në shesh qytetarët për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, ndërkohë që policia ka dalë me një plan masash.

Mësohet se do të jenë 1200-1500 efektivë që do të angazhohen për mbarëvajtjen e tubimit. Në gatishmëri do të jenë forcat speciale, RENEA, Forcat Shqiponja, si dhe autobotet me ujë. Po ashtu të angazhuara janë dhe shërbimet e inteligjencës. Deri më tani nuk janë dhënë sinjale për skenarë dhune, por policia do të marrë masa dhe efektivët do të pajisen me maska kundragaz në rast tensionesh.

Ndërkohë policia ka reaguar dhe ka njoftuar se do të bllokohen disa akse rrugore. Duke filluar nga ora 06:00 e datës 03.03.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 03.03.2023 deri në përfundim të tubimit.

“Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit”, shprehet policia.

 

policia protesta berisha

Lini një Përgjigje