IBF International Consulting dyshohet se ka abuzuar me fondet e BE...
Një nga kompanitë më të mëdha konsulente që bashkëpunon me Bashkimin Europian, IBF International Consulting, është pezulluar nga Komisioni Europian, duke hapur një kapitull të ri problemesh për një firmë që ka përfituar qindra miliona euro nga kontrata të ndihmës për zhvillim. Çështja ka rëndësi të veçantë edhe për Shqipërinë, ku kompania ka zbatuar projekte të lidhura drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Follow the Money dhe IrpiMedia, Komisioni Europian i ka ndaluar IBF-së në fillim të dhjetorit pjesëmarrjen në tenderët publikë të BE-së për një periudhë dyvjeçare. Kompania, me seli në Bruksel, ka qenë e angazhuar në projekte të shumta në vendet në zhvillim, përfshirë përgatitjen e administratës shqiptare për procedurat dhe burokracinë e Bashkimit Europian.
Në letrën e Komisionit nuk jepen detaje konkrete për arsyet e pezullimit, por përmendet “sjellje e rëndë profesionale” në lidhje me një kontratë të madhe të BE-së në fushën e politikës së jashtme. Në të njëjtën ditë kur ndalimi hyri në fuqi, më 9 dhjetor, drejtori ekzekutiv i IBF-së, Frédéric André, u ka komunikuar punonjësve se masa lidhej me dy tenderë të BE-së për projekte në Moldavi.
Skandali ka krijuar efekt zinxhir edhe te kompani të tjera konsulence që kanë bashkëpunuar me IBF-në, të cilat po shqyrtojnë ndërprerjen e marrëdhënieve me këtë firmë. IBF ishte pezulluar edhe në vitin 2020 nga Komisioni Europian, pasi u zbulua se kishte përdorur informacione të rrjedhura për të manipuluar procesin e prokurimit publik të BE-së dhe për të fituar kontrata.
SPAK në Shqipëri ishte e para që hetoi IBF-në për shkelje të dyshuara të procedurave të prokurimit dhe pastrimit të parave në vitin 2020. Në vitin 2022, SPAK nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me EPPO-në në fronte të ndryshme, dhe hetimi që filloi në Shqipëri tani po trajtohet nga Zyra e Prokurorit Evropian Kundër Korrupsionit.
Kompania ka konfirmuar se ka kundërshtuar vendimin e Komisionit Europian në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së, duke argumentuar se masa ngre shqetësime për sigurinë juridike dhe proporcionalitetin e sanksioneve. Ndërkohë, Komisioni Europian ka refuzuar të japë detaje shtesë, duke theksuar se procedurat e sistemit të hershëm të zbulimit dhe përjashtimit (EDES) janë konfidenciale dhe synojnë mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit.
IBF është themeluar në vitin 1977 dhe ka qenë për dekada një nga partnerët kryesorë të Komisionit Europian, veçanërisht në Ballkan, përfshirë Shqipërinë, ku ka ofruar asistencë për qeverisjen, administratën publike dhe reformat institucionale. Vetëm në periudhën 2014–2024, kompani të lidhura me IBF kanë përfituar mbi 358 milionë euro nga kontrata të Komisionit Europian.
Megjithatë, që prej vitit 2020, kompania përballet me presion të vazhdueshëm ligjor në disa vende, përfshirë Shqipërinë, Belgjikën dhe në nivel europian, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në projektet e financuara nga fondet e BE-së dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit të vendeve kandidate. /Pamfleti
Ca skandali. Ne fakt ca kompanie prisni ju qe te sjell sulltan rama, pervec atyre si puna e vet
Interesi i ketyre kompanive eshte qe integrimi i shteteve si Shqiperia te mbaroje pas 5 shekujsh. Jane si OBSH qe « asiston » Shqiperine projekt pas projekti prej 35 vitesh dhe asgje nuk ndodh. Mbajne nje armate parazitesh me rroga te majme, detyra kryesore e te cileve eshte te siguroje nje armate partneresh parazite te korruptuar ne administraten e shteti ku veprojne. Trump e meriton Nobel-in vetem po shkaterroi kete sistem parazitesh qe po mbyt perendimin.