Aktualitet 6 Qershor 2023, 16:04

Caktohet seanca e parë në ‘Kushtetuese’ për Butrintin, Ina Zhupa: Kam besim se do të trajtohet si çështje kombëtare

Shkruar nga Pamfleti

Caktohet seanca e parë në ‘Kushtetuese’ për

Pas debateve të shumta për çështjen e Butrintit, seanca e parë publike për kërkesën e opozitës për rrëzimin e koncesionit do të mbahet më 15 qershor në orën 10:00 në Gjykatën Kushtetuese.

Ka qenë deputetja Ina Zhupa, e cila ka njoftuar mbajtjen e seancës në Kushtetuese, përmes një postimi në rrjetin e saj social, ku njoftoi se në seancë janë bashkuar edhe Presidenti, Avokati i Popullit dhe KLP.

Zhupa vazhdimisht ka kundërshtuar marrëveshjen për zhvillimin e Parkut të Butrintit ndërkohë që shtoi se ka besim që çështja do të trajtohet në mbrojtje të historisë dhe trashëgimisë kombëtare.

Ndaj me ju lajmin e mirë që seanca e parë publike për rrëzimin e koncesionit të Butrintit në Gjykatën Kushtetuese do jetë me datë 15 qershor, ora 10:00! Kundër koncensionit na janë bashkuar me dekret/parashtrime/opinione Presidenti i Republikës, Kontrolli i Lartë i Shteti, Avokati i Popullit duke ju bashkuar qëndrimit tonë. Pro koncesionit janë vetëm marrësi dhe dhënësi i Butrintit, qeveria dhe fondacioni. Kam besimin e plotë se kjo padi nuk do trajtohet si çështje politike por si çështje kombëtare, në mbrojtje të historisë, identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare”, shkroi Zhupa.

Marrëveshja me fondacionin shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Do të shtohen shërbimet për vizitorët, mes të cilave është ngritja e një qendër pritjeje për vizitorët. Po në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike, por që ka shkatuar shumë debate në Kuvend.

ina zhupa butrinti kushtetuese