TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Korrik 2026, 20:25

“Revolucioni i Flamingove”/ 'CNN' vendos sërish në fokus protestat në Shqipëri: Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti

“Revolucioni i Flamingove”/ 'CNN' vendos sërish

Pika kyçe e analizës, e veçuar edhe nga Zakaria, është se objektivi kryesor i protestuesve është kryeministri Edi Rama...

Protesta qytetare e cila vijon prej 57 ditë radhazi, vijon të marrë jehonë ndërkombëtare, duke u përfshirë në edicionin më të fundit të "Fareed's Global Briefing", buletini javor i gazetarit të njohur të CNN, Fareed Zakaria, drejtues i emisionit "Fareed Zakaria GPS".

Në rubrikën me titull "Albania's Flamingo Revolution" ("Revolucioni i Flamingove në Shqipëri"), Zakaria ndalet te protesta që nisi kundër projektit për ndërtimin e një resorti në ishullin e Sazanit, të lidhur me investimin e mbështetur nga Jared Kushner. Sipas buletinit, lëvizja ka tejkaluar tashmë çështjen e projektit, duke u shndërruar në një revoltë më të gjerë qytetare.

Duke cituar raportimin e The Guardian, Zakaria kujton se mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës duke mbajtur flamingo të fryra, si simbol i shqetësimeve për dëmtimin e mjedisit. Sipas tij, protestat jo vetëm që nuk janë zbehur, por kanë vijuar të rriten në pjesëmarrje dhe intensitet.

Buletini i referohet edhe një analize të The Atlantic, ku thuhet se protestat janë kthyer në një nga mobilizimet më të mëdha shoqërore në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist. Në analizë theksohet se pakënaqësia qytetare lidhet me problemet e akumuluara ndër vite, si korrupsioni, krimi i organizuar, vështirësitë ekonomike dhe mungesa e besimit te politika.

Pika kyçe e analizës, e veçuar edhe nga Zakaria, është se objektivi kryesor i protestuesve është kryeministri Edi Rama. Sipas The Atlantic, megjithëse projekti i resortit ishte shkëndija që nxiti reagimin qytetar, demonstratat janë shndërruar në një kërkesë më të gjerë politike për ndryshim dhe largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë.

Zakaria rikujton se Edi Rama ndodhet në pushtet që nga viti 2013 dhe vëren ndryshimin e qëndrimeve të tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se, pas kritikave të vitit 2016, kryeministri shqiptar e ka lavdëruar vazhdimisht në vitet pasuese.

Deklarata e plotë

‘Revolucioni i Flamingove’ në Shqipëri

Rreth një muaj më parë, shqiptarët filluan të protestonin kundër një projekti zhvillimi të një resorti ishullor të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i Trump dhe i dërguari jozyrtar i paqes. Helena Smith e The Guardian raportoi atëherë: “Mijëra njerëz dolën në rrugët e Tiranës për të tretën ditë radhazi… disa prej tyre duke tundur flamingo të fryrë në shenjë nderimi për dëmin e frikshëm mjedisor, mes thirrjeve në rritje për bllokimin e projektit.”

Protestat që atëherë kanë vazhduar dhe janë rritur, shkruan Isaac Stanley Becker i The Atlantic : “Qindra mijëra njerëz janë bashkuar në protestat e përditshme kundër planeve, në një nga mobilizimet më të mëdha sociale të vendit që nga fundi i sundimit komunist 35 vjet më parë. … Trazirat i kanë të gjitha: akuza për krim të organizuar dhe trafik droge, pretendime konkurruese për ndikim të huaj, një paraqitje e shkurtër nga Kanye West.

Për pjesëmarrësit me të cilët fola, demonstratat kanë të bëjnë me zhgënjimin e akumuluar me politikanët shqiptarë që nuk kanë arritur t’i japin vendit një bazë të fortë ekonomike. … Familja Trump shkaktoi kryengritjen, por objektivi i protestave është [Kryeministri Edi] Rama.”

Udhëheqësi socialist erdhi në pushtet në vitin 2013, kritikoi Trumpin në vitin 2016 dhe që atëherë e ka lavdëruar vazhdimisht presidentin amerikan.

rama cnn

1 Komente

  1. A
    A

    Diktatorë ka dhe ka pasur shumë në botë. Edhe në Evropë, por diktatori që kërkon të zhdukë popullin e tij është vetëm një EDI RAMA,

    Lini një Përgjigje