TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2026, 10:09

Dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, njihen kontributet për ndihmësit personalë

Shkruar nga Pamfleti
Dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara,
Dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një takim me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendrën e Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush. Gjatë bashkëbisedimit, ajo prezantoi masat e reja të miratuara nga Qeveria Shqiptare për të forcuar mbështetjen ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.

Ministrja theksoi se dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, si edhe njohja e periudhave kontributive për ndihmësit personalë, janë pjesë e angazhimeve të përcaktuara në programin qeverisës “Shqipëria 2030”, që synon forcimin e mirëqenies sociale dhe mbështetjen e familjeve.

Ajo bëri të ditur se, me Aktin Normativ nr. 2, datë 30.06.2026, janë vënë në dispozicion fondet e nevojshme për zbatimin e këtyre masave. Duke nisur nga 1 korriku 2026, pagesa mujore do të dyfishohet për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërsa 14 mijë ndihmës personalë, që kujdesen për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara, do të përfitojnë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Sala nënvizoi se kjo është hera e parë që kjo mbështetje u ofrohet në mënyrë të barabartë të gjithë ndihmësve personalë, pa u kushtëzuar nga diagnoza apo mosha e personit që merr kujdes, duke garantuar më shumë siguri sociale dhe trajtim të barabartë për familjet.

Gjatë vizitës, ministrja vlerësoi edhe punën e Qendrës së Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, duke e cilësuar atë si një model të shërbimeve sociale të ofruara pranë komunitetit, që kontribuojnë në përfshirjen, rehabilitimin dhe zhvillimin e potencialit të çdo fëmije.

Sipas Ministres, këto masa mbështeten nga rritja me 8.9 miliardë lekë e buxhetit të vitit 2026 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, rritja më e lartë buxhetore në historinë e institucionit. Ky financim do të mundësojë zgjerimin e skemave të mbështetjes sociale, vijimin e politikës së rritjes së pagave në sistemin shëndetësor, si edhe investime të reja në shërbimet publike.

“Objektivi ynë është që çdo person me aftësi të kufizuara dhe çdo familje të ndiejë mbështetje konkrete nga shteti, përmes politikave që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe mundësi të barabarta,” u shpreh Ministrja Sala.

Lini një Përgjigje