TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2025, 10:11

"Dëmi rreth 150 mijë euro"/ Djegia e restorantit në Theth, kush është pronari agjent i BKH-së

Shkruar nga Pamfleti

"Dëmi rreth 150 mijë euro"/ Djegia e restorantit në

Një restorant në Theth është shkrumbuar totalisht pasi u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit së ditës sotme.

Sipas policisë, restoranti është në pronësi të Petrit Gjeçajt, i cili rezulton të jetë agjent i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Banorë të zonës dhe shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e flakëve në restorant, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar, pasi evakuimi i turistëve është bërë në kohë.

"Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Theth, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit P. Gj. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëmë materiale.  Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit", njofton policia. 

Në një dëshmi për mediat, bashkëshortja e Petrit Gjeçajt, Aida Gjeçaj thotë se ekspertët kanë përjashtuar si shkak shkëndijën elektrike.

Ajo hedh dyshime se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme, por përjashton mundësinë e ndonjë konflikti me njeri. Po hetohet gjithashtu nëse ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për shkak të punës së Gjeçajt si agjent i BKH.

Aida Gjeçaj theksoi se punimet në restorant kishin përfunduar vjet dhe se dëmi mund të llogaritet deri në 150 mijë euro. Ajo thotë se nuk kanë ndërtuar asnjë gjë pa leje dhe se bujtinat e tyre nuk ishin në listën e objekteve që do të shemben nga IKMT.

“E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin”, deklaroi ajo.

Ngjarja vjen teksa në fshatin turistik, IKMT ka nisur edhe një aksion për prishjen e objekteve pa leje, gjë që ka shkaktuar protesta.

 

Lini një Përgjigje