Aktualitet27 Mars 2023, 11:24

"Dënojmë aktin ndaj Top Channel", ambasada e SHBA-ve thirrje prokurorisë: Të nisin hetimet!

Shkruar nga Pamfleti
"Dënojmë aktin ndaj Top Channel", ambasada e SHBA-ve thirrje

Ambasada e SHBA-së ka dënuar sulmin me armë zjarri që ndodhi ndaj godinës së Top Channel, ku për pasojë humbi jetën roja i objektit, Pal Kola.

Përmes reagimit në Twitter, ambasada amerikane ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Po ashtu i ka bërë thirrje organeve të rendit të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës që do të sjellë para drejtësisë autorët.

“Ambasada e SHBA në Tiranë dënon ashpër sulmin vdekjeprurës në Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. I bëjmë thirrje organeve të rendit të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës që do të sjellë para drejtësisë autorët”, ka reaguar Ambasada e SHBA-së.

Po ashtu ka reaguar edhe prezenca e OSBE ku bën thirrje që autoritetet të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë.

Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë”, shkruan OSBE.  

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar, u afruan me një automjet tip 'Range Rover' ma targa të vjedhura dhe hapën zjarr në drejtim të Top Channel. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar të paktën 25 gëzhoja kallashnikovi, ndërsa një nga plumbat ka përfunduar në trupin e punonjësit, duke i marrë jetën. 

Pas ngjarjes, autorët janë larguar, ndërsa në aksin Tiranë-Durrës është gjetur automjeti që kanë përdorur në krim bashkë me dy armë tip kallashnikovi. Makina e shkrumbuar është në duart e ekspertëve.

Po ashtu edhe BE ka dënuar sulmin ndaj Top Channel ku vdiq edhe punonjësi i sigurisë, Pal Kola.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri dënon sulmin me armë zjarri në mjediset e Top Channel dhe i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojes së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm.

U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen.’- thuhet në reagim.

sulmi ndaj top channel