Aktualitet23 Mars 2023, 10:28

Dëshmoi për herë të tretë në SPAK, Meçollari i rezervuar për mediat: Nuk u mora në pyetje!

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmoi për herë të tretë në SPAK,

Ish-komandanti i forcave detare, Artur Meçollari u paraqit sot pranë Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).

Në dalje të godinës së SPAK, Mecollari tha se thirrja e tij nuk ka lidhje me hetimin, por se kishte shkuar për një kërkesë.

“Isha për një kërkesë, çështje administrative, dhe nuk u mora në pyetje”

Kjo është hera e tretë që Meçollari paraqitet në SPAK. Kujtojmë se Meçollari është paraqitur në SPAK më datë 9 mars dhe më pas në 15 mars për një padi për pronat e ushtrisë. Ai u mor është në pyetje dhe dha shpjegime për denoncimin e bërë për ndërtimet brenda bazës ushtarake të Shëngjinit.

Pak ditë më parë, u mor në pyetje edhe Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka. Në një prononcim për mediat, Xhaçka hodhi poshtë akuzat e ngritura dhe u shpreh se nuk ka pasur asnjë shkelje ligji. Denoncimet e bëra ajo i konsideroi shpifje dhe tha se përgjigjen do ta marrin në përfundim të hetimeve.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka vendosur në sekuestro preventive bazën detare në Sarandë. Vendimi erdhi pas denoncimit të Artur Meçollarit për privatizimin e pronave të ushtrisë. Për këtë çështje, edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku u paraqit në SPAK ku u mor në pyetje bashkë me Artur Meçollarin, denoncuesin e tij.

spak artur meçollari