Aktualitet20 Prill 2023, 10:17

Dështon për herë të tretë seanca për inceneratorin e Elbasanit, shpallet në kërkim e akuzuara

Shkruar nga Pamfleti
Dështon për herë të tretë seanca për inceneratorin
Inceneratorin e Elbasanit

Për te tretën herë në gjykatën e posaçme ka dështuar seanca për fillimin e gjykimit për Inceneratorin e Elbasanit.Shkak kësaj here është bërë mungesa e avokatit të Klodian Zotos dhe Jonida Zeqos.

Zeqo, e cila supozohet të jetë në arrest shtëpie nuk është gjetur në banesën e saj nga policia e Durrësit dhe as nga oficeri i policisë gjyqësore të SPAK. Togat e zeza dolën në konkluzionin se Jonida Zeqo po i fshihet drejtësisë dhe e shpallën në kërkim.

Kjo e fundit kishte dërguar 2 e-mail-e ku konfirmonte se ishte në dijeni për seancën, por kërkonte të mos ishte e pranishme dhe të përfaqësohet nga Saimir Vishaj. Kërkesa nuk është pranuar nga gjykata.

Prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho dhe Arben Kraja thanë se e-mail-et nuk mund të verifikohen se janë të dërguar nga ajo. OPGJ-JA nuk e ka gjetur dhe rrjedhimisht është shpallur në kërkim.

Të pandehur për inceneratorin e Elbasanit janë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo , Bardhyl Çabiri, Serafin Papa.

Nga këta prapa hekurave qëndrojnë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Byrdhyl Çabiri.

inceneratori i elbasanit