Ka nisur para Kryeministrisë protesta e 23-të radhazi e qytetarëve kundër qeverisë. Ajo që nisi fillimisht si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, me protestuesit që kërkojnë ndryshime të thella politike dhe institucionale.
Gjatë tubimit, aktivisti Andi Tepelena deklaroi se protesta nuk ka më si objektiv vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe zëvendësimin e asaj që ai e cilësoi si “kastë e tranzicionit”.
“Kjo protestë përveç largimit të Edi Ramës, ka dhe një kërkesë madhore, largimin e kësaj kaste të tranzicionit dhe rinovimin e saj me njerëz të rinj. Kanë bërë ligje për një grusht njerëz. Kjo qeveri është palë me mafien. Me paratë e drogës që kanë hyrë në Shqipëri çmimet kanë rritur majat”, tha Tepelena.
Sipas tij, kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ishte vetëm pika e nisjes së një pakënaqësie më të gjerë qytetare.
“Zvërneci ishte vetëm maja e një revolte popullore për largimin e këtij antishqiptari që po na i nxin jetën përditë. Kjo lëvizje është pa kthim. Rama duhet ta dijë se nuk do lodhemi. Gjallë a vdek do të jemi këtu derisa ta largojmë”, u shpreh Tepelena.
Ai hodhi akuza edhe ndaj procesit zgjedhor dhe qeverisë, duke kundërshtuar pretendimet e kryeministrit për mbështetjen elektorale që gëzon mazhoranca.
“Rama nuk është përfaqësues i shqiptarëve. Ai thotë se ka 84 mandate, por janë vota të vjedhura falë parasë së zezë dhe krimit të organizuar. Tani nxjerr armiq të jashtëm, agjentë të Iranit, Rusisë, Izraelit etj. Arrogancës së tij do t’i përgjigjemi me arrogancë duke i thënë stop, jep dorëheqjen një orë e më parë”, tha ai.
Protesta po zhvillohet para Kryeministrisë në vijim të mobilizimit të përditshëm të qytetarëve, të cilët kanë deklaruar se do të vazhdojnë tubimet edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje