Aktualitet24 Maj 2023, 09:14

Dosja Gërdeci, sot seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu

Shkruar nga Pamfleti
Dosja Gërdeci, sot seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu
Fatmir Mediu

Pas shtyrjes së disa seancave sot në orën 12:00, pritet të zhvillohet gjyqi për tragjedinë e Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa SPAK pritet që të shpallë pretencën. Ish-ministri i ka mohuar akuzat në gjykatë dhe ka deklaruar se në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes ka zbatuar vetëm VKM-të e dala për demontimin e armëve.

SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Posaçme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për dy akuza; atë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarakë, kuadër komandues.

Fatmir Mediu është marrë dhe më herët i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, por në vitin 2009 kur dosja e tij penale po gjykohej në Gjykatën e Lartë për shkak se ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ligji i kohës parashikonte se ndjekja penale apo gjykimi nuk mund të vazhdonte dhe vendosi ta pushonte çështjen.

Me krijimin e SPAK ishte Zamira Durda, nëna e një fëmije të mitur që gjeti vdekjen në Gërdec, e cila kërkoi rihetimin e çështjes dhe gjykimin e Mediut, pasi sipas saj për tragjedinë e Gërdecit nuk është bërë drejtësi. Prokuroria e Posaçme duke mos qenë kompetente në krye të herës për të hetuar këtë çështjes, përderisa kishte një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë iu drejtua Gjykatës dhe shkalla e parë e rrëzoi prokurorinë për rihapjen e kësaj dosje.

Ishte Apeli i Posaçëm i cili i hapi dritën jeshile hetimit të dosjes Gërdeci dhe tashmë Prokuroria e Posaçme e ka përfunduar hetimin sa i përket ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe e dorëzoi në Gjykatë dosjen penale duke argumentuar se mburoja e imunitetit kishte rënë dhe nuk kishte asnjë pengesë që Mediu të gjykohet për dy vepra penale.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

dosja gërdeci fatmir mediu