TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2026, 19:17

"Po ti, nga cila anë e gardhit je?"/ Edhe Ledi Shamku i del kundër Ramës, denoncon arrestimet sot në protestë

Shkruar nga Pamfleti
"Po ti, nga cila anë e gardhit je?"/ Edhe Ledi Shamku i del
Ledi Shamku

Një tjetër emër i njohur i Partisë Socialiste i është bashkuar publikisht kritikave ndaj mënyrës se si u menaxhua protesta e kësaj të enjteje para Kuvendit. Pas reagimeve të Ditmir Bushatit, Arben Malajt, Arta Dades dhe figurave të tjera të vjetra të PS-së, këtë herë ka reaguar edhe ish-deputetja Ledi Shamku Shkreli.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shamku ka denoncuar shoqërimin e antropologes gjuhësore amerikane Carrie Ann Morgan dhe artistes Elsa Paja, të cilat, sipas saj, janë mbajtur në Komisariatin nr. 3 pas protestës.

"Carrie Ann Morgan, antropologe gjuhësore, kolegia ime, studiuese dhe shpirt i lirë, u arrestua sot gjatë protestës.

Elsa Paja, artiste, ilustratore, mikja ime, një shpirt po aq i bukur sa vetë Vjosa-Narta që ajo mbron, u arrestua sot.

Mendoj se nga sot, slogani më i gjetur i kësaj proteste është: 'Po ti, nga cila anë e gardhit je?'

Shihemi për pak në Komisariatin nr. 3, ku mbahen të arrestuara Carrie dhe Elsa!", shkruan Shamku.

Reagimi i ish-deputetes socialiste vjen në një kohë kur brenda radhëve të ish-zyrtarëve dhe ish-deputetëve të PS-së janë shtuar zërat kritikë ndaj mazhorancës.

ledi shamku protesta

1 Komente

  1. A
    Adriatik

    Kjo eshte intelektuale dhe jo nenpunese . Kjo eshte vlera qe na mungon sot. PS. Harrova Zegjinen...

    Lini një Përgjigje