Aktualitet25 Tetor 2023, 10:40

E paprecedentë në Lezhë/ Nxënësi godet me karrige mësuesen në gjimnazin ‘Hydajet Lezha’, kolegët bojkotojnë mësimin

Shkruar nga Pamfleti

E paprecedentë në Lezhë/ Nxënësi godet me karrige

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur ditën e sotme në shkollën e mesme "Hydajet Lezha" në qytetin e Lezhës.

Një mësuese është goditur me një karrige nga një nxënës brenda mjediseve të shkollës. Mësuesja Majlinda Palushi është dërguar me ambulancë në spitalin e Lezhës dhe mësohet se ka marrë një frakturë të rëndë.

Ndërkohë në shkollë kanë mbërritur forcat e policisë, te cilët kanë bërë të mundur shoqërimin në komisariatin e Lezhës të nxënësit të vitit të dytë i cili goditi mësuesen.

Është e paqartë përse nxënësi ka goditur mësuesen me karrige dhe policia po punon për zbardhjen e plote të kësaj ngjarje.

Mësimi ditën e sotme është bojkotuar nga mësuesit për shkak të kësaj ngjarje të rëndë ndërsa ditën e nesërme pritet që të zhvillohet një protestë nga mësuesit lidhur me këtë situatë të vështirë nga sjellja e nxënësve.

"Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M. P., e cila po merr asistencë mjekësore, në spital.

16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton policia.

lezhe nxenesi karrige mesuese gjimnaz