
SPAK ka çelur garën për drejtuesin e ri të BKH-së, pasi mandati i Aida Veizaj (Hajnaj), drejtueses aktuale të Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundon në 31 gusht.
Në një njoftim zyrtar, SPAK bën të ditur procedurën që do të ndiqet, ndërsa është ngritur Komisioni i Përzgjedhjes së Kreut të BKH-së, që përbëhet nga prokurorrët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Bazuar në ligjin për funksionimin e institucioneve të drejtësisë që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, thuhet se drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni. Ligji nuk flet as për kufizim mandati por as për mundësi rikandidimi, çka duket se i gjithë procesi do të kalojë nga KLP. Nga raportimet kjo e fundit ka refuzuar të shqyrtojë një kërkesë për rikandidim nga Veizaj me pretekstin se gara nuk ishte e hapur. Kërkesa ishte depozituar në KLP në muajin mars, kohë kur nuk ishte njoftuar hapja e garës.
Veizaj u emërua në krye të BKH-së në 30 korrik 2020 me një mandat 5-vjeçar.
Nuk dihet nëse Veizaj do të rikandidojë për një tjetër mandat ose jo në krye të BKH-së, por me hapjen e garës, do të jetë KLP, që do të shqyrtojë nëse do të lejohet ose jo rikandidimi.
Referuar dispozitave ligjore përkatëse, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptar, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret si vijon:
ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes;
Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 07 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve që parashikohen në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016.
Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Referuar ligjit nr.95/2016, procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë (7) faza si vijon:
Shqyrtimi i aplikimit;
Testi i arsyetimit logjik;
Kontrolli mjekësor;
Testi fizik;
Ese me shkrim;
Intervistë;
Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit;
Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret sipas neneve 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Lini një Përgjigje