TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 13:25

Tërmetet mbi 7 ballë në Venezuelë/ Sizmiologu sqaron lidhjen mes tyre dhe nëse ka ndikim në vendin tonë

Shkruar nga Pamfleti
Tërmetet mbi 7 ballë në Venezuelë/ Sizmiologu sqaron lidhjen
Foto nga tërmetet në Venezuelë

Tërmetet e forta të regjistruara së fundmi në Venezuelë, Japoni dhe Kaliforni kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e një lidhjeje mes tyre dhe ndikimin që mund të kenë në zona të tjera sizmike, përfshirë Shqipërinë.

Për të shpjeguar këtë fenomen, sizmiologu Edmond Dushi foli këtë të premte, më 26 korrik, në emisionin “Aldo Morning Show”, në një lidhje direkte nga Tokio, Japoni.

Ai tha se ndodhja e tre tërmeteve të forta në një periudhë kaq të afërt kohore është një rastësi e pazakontë, por jo një fenomen që mund të lidhet drejtpërdrejt nga pikëpamja gjeologjike.

“Është një rastësi shumë e çuditshme. Ka një distancë shumë të madhe në aspektin tektonik ndërmjet këtyre rajoneve dhe këto pllaka që kanë marrë pjesë në çlirimin e kësaj energjie janë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra…Duke qenë se ndodhen në pllaka të ndryshme tektonike, për rrjedhojë dhe mekanizmi i gjenerimit të tyre është i ndryshëm. Secila nga vatrat ka natyrë, gjeometri dhe çlirim jo të njëjtë energjie nga njëra tjetra.”, tha ai.

Sipas Dushit, në sizmiologji njihet mundësia që një tërmet i madh të ndikojë në aktivizimin e një tjetër tërmeti, por kjo ndodh kryesisht në zona të afërta dhe jo në distanca të mëdha gjeografike.

“Diku afër zonës ku ka ndodhur një tërmet kemi një thyerje tektonike, e cila është afër limitit të saj dhe është duke u përgatitur që shumë shpejt të ndodhë një tërmet. Energjia e çliruar nga tërmeti në një zonë tjetër mund të nxisë që ky tërmet të ndodhë para kohe. Kjo njihet në sizmiologji si trigërim dinamik. Në distanca të afërta kjo është më efektike, që do të thotë në zona të vogla apo në afërsi të njëra tjetrës, këto tërmete mund të ndikojnë shumë.”, u shpreh Dushi.

Dushi ndodhej në Japoni në momentin kur vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.9. Ai tregoi se lëkundjet u ndien, por situata nuk shkaktoi panik apo dëme, për shkak të standardeve të larta të ndërtimit dhe kulturës së përgatitjes ndaj tërmeteve.

“Valët sizmike i numëruam një për një por nuk ka pasur asnjë efekt dhe nuk ka pasur asnjë lloj dëmi për arsye se këtu ndërtojnë shumë mirë dhe është kryesisht kjo pjesë që i mbron. Këtu jeta është krejt normale, vazhdojnë punën normalisht. Nuk na udhëzuan fare që të dilnim jashtë nga ambjentet. Gjakftohtësia që shfaqin lë të nënkuptuar që janë shumë të edukuar në këtë aspekt.”, tha ai.

Sizmiologu nënvizoi se tërmetet janë fenomene natyrore të pashmangshme dhe se mënyra më e mirë për të ulur pasojat e tyre është ndërtimi cilësor dhe respektimi i standardeve antisizmike.

Sa i përket Shqipërisë, Dushi tha se vendi ka një aktivitet sizmik të njohur, por thyerjet tektonike janë më të kufizuara dhe lëkundjet zakonisht janë më të moderuara. Megjithatë, ai theksoi se rreziku sizmik kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe përgatitje serioze.

Lini një Përgjigje