TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 22:17

Vijon marshimi qytetar, protestuesit drejt Komisariatit nr. 3

Shkruar nga Pamfleti

Vijon marshimi qytetar, protestuesit drejt Komisariatit nr. 3

Pas disa orësh fjalime para godinës së Kryeministrisë, ku u përsëritën kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protesta e 35-të mbarëkombëtare ka vijuar me një marshim masiv në rrugët e Tiranës.

Mes pankartave, banderolave, thirrjeve kundër qeverisë dhe "surprizave" simbolike të organizuara me rastin e ditëlindjes së kryeministrit, mijëra protestues janë nisur drejt rrugës "Mine Peza", ku ndodhen në paraburgim protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë demonstratës së së enjtes.

Me thirrjet "Lironi çunat", "Ju erdhi fundi", aktivistët dhe qytetarët po marshojnë për të shprehur mbështetjen ndaj të arrestuarve dhe për të kundërshtuar ndalimin e tyre. Aktualisht, kolona e protestuesve po kalon pranë Muzeut Kombëtar, me destinacion zonën pranë Komisariatit të Policisë nr. 3 në rrugën "Mine Peza".

Ndërsa ditën e nesërme, protestuesit e arrestuar pritet të dalin para Gjykatës Penale për caktimin e masës së sigurisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe nesër, duke nisur në orën 09:00 përpara Gjykatës, në mbështetje të të ndaluarve dhe me kërkesën për lirimin e tyre.

 

Lini një Përgjigje