Fluksi i lartë i automjeteve që i janë drejtuar qyteteve dhe zonave turistike të juglindjes së vendit ka rikthyer pasditen e së premtes radhët e gjata dhe trafikun e rënduar në aksin kombëtar Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit–Elbasan, një nga segmentet më të ngarkuara rrugore gjatë sezonit veror.
Shumë qytetarë nga kryeqyteti kanë zgjedhur fundjavën për t'u nisur drejt destinacioneve turistike të juglindjes, si Pogradeci, Korça, Prespa, Dardha, Voskopoja dhe zonat përreth, duke bërë që qarkullimi të rëndohet që në orët e para të pasdites.
Përveç turistëve vendas, në rritjen e fluksit kanë ndikuar edhe automjetet e emigrantëve dhe vizitorëve që ndodhen në Shqipëri në këtë fillim të sezonit veror.
Si pasojë e numrit të lartë të mjeteve, në disa segmente janë krijuar kolona të gjata, ndërsa drejtuesit e automjeteve janë përballur me lëvizje të ngadalta.
Autoritetet presin që fluksi i automjeteve të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, pasi lëvizjet pritet të shtohen me kthimin e emigrantëve në vendlindje për pushimet verore.
Lini një Përgjigje