TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Maj 2025, 21:18

Forcimi i ushtrisë, Shqipëria marrëveshje me Francën

Shkruar nga Pamfleti

Forcimi i ushtrisë, Shqipëria marrëveshje me Francën

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, priti homologun francez Sébastien Lecornu në një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u firmos një marrëveshje teknike për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Takimi u zhvillua në garnizonin ‘Skënderbej’, një simbol i historisë ushtarake të vendit, por që tashmë synon të bëhet shembull i një rilindjeje teknologjike.

Marrëveshja e re fokusohet veçanërisht në modernizimin e forcave ajrore – një hap që vjen në një kohë kur vendet e NATO-s po rishikojnë kapacitetet e tyre ushtarake në sfondin e kërcënimeve të reja në Europë dhe më gjerë.

“Nënshkruam një marrëveshje për modernizimin e forcave tona ajrore, tregues i qartë për përparimin tonë,” deklaroi Vengu, duke theksuar se bashkëpunimi me Francën është më shumë sesa një çështje teknike – është një orientim strategjik drejt konsolidimit të rolit të Shqipërisë në NATO dhe rajon.

Ministri francez Lecornu, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e Francës për të qenë një aleat i fortë në këtë proces, duke theksuar mbështetjen për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe të aftë për të përballuar sfidat e kohës, përfshirë kërcënimet hibride dhe ndryshimet në doktrinën mbrojtëse europiane.

Ky bashkëpunim vjen në një moment ku vendet europiane po riinvestojnë në siguri, duke shtuar buxhetet për mbrojtjen dhe zhvilluar industrinë ushtarake të brendshme. Shqipëria, e vendosur në një pozicion strategjik në Ballkan, po kërkon të mos mbetet vetëm një vend i vogël anëtar, por një aktor funksional në arkitekturën e sigurisë së NATO-s.

Lini një Përgjigje