TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Maj 2025, 19:38

Sulmet ndaj mediave në protestën e PD, reagon Unioni i Gazetarëve: Sjellja e përfaqësuesve të opozitës, e papranueshme

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet ndaj mediave në protestën e PD, reagon Unioni i

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së disa drejtuesve të opozitës dhe mbështetësve të tyre ndaj përfaqësuesve të mediave, gjatë protestës së zhvilluar sot në Bulevardin “Zog I”. Në një deklaratë të fortë publike, UGSH e cilëson këtë sjellje si “të papranueshme” dhe “kërcënuese” për lirinë e shprehjes dhe punën e gazetarëve në terren.

Sipas Unionit, reporterët dhe operatorët që mbuluan protestën u përballën me reagime agresive dhe etiketime denigruese vetëm për shkak të pyetjeve të tyre, që ndonëse të vështira, janë pjesë e misionit të gazetarit. “Gazetarët nuk kanë asnjë angazhim politik. Çdo polemikë me ta është shkelje e etikës dhe një formë presioni mbi median,” thuhet në reagim.

UGSH e konsideron këtë qëndrim si një kthim mbrapa, në “mentalitetin e mungesës së diversitetit demokratik”, dhe e krahason me sjellje të viteve të para të pluralizmit, kur media shihej si armike e partive politike.

“Betejat e opozitës janë me qeverinë, jo me gazetarët,” theksohet në deklaratë, duke u bërë thirrje drejtuesve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të distancohen urgjentisht nga incidenti dhe të kërkojnë falje publike.

Deklaratat

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të papranueshme gjuhën e disa prej drejtuesve të partisë kryesore të opozitës ndaj gazetarëve në protestën kundër procesit zgjedhor të 11 majit, të zhvilluar në Bulevardin Zog i I në Tiranë.

Reporterët dhe operatorët e mediave u janë drejtuar krerëve të protestës opozitare me pyetje dhe si përgjigje, prej tyre dhe mbështetësve të pranishëm, kanë marrë reagime dhe etiketime të palejueshme.

Gazetarët e pranishëm në aktivitete politike apo protesta nuk kanë asnjë angazhim politik, por vetëm mision e raportimit dhe të pasqyrimit të asaj që ndodh. Çdo etiketim apo polemikë me reporterët, në protestat e subjekteve politike, janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të etikës dhe cënim të lirisë së shprehjes, raportimit dhe kërcënim të tyre, në krye të detyrës.

Tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre, është e gabuar dhe na kthen në fillimet e pluralizmit politik shqiptar dhe në mendësitë e kulturës së munguar të diversitetit demokratik.

UGSH dënon këto episode, agresionin verbal dhe stigmatizimet që deputetë dhe drejtues të vecantë të opozitës dëshmuan në këtë aktivitet politik të tyre.

Kërkojmë prej opozitës dhe përfaqësuesve të saj, të pranishëm në këtë ndodhi, të reflektojnë në respekt të medias, rolit të gazetarisë dhe pavarësisë së gazetarëve në përgjithësi.

Betejat e opozitës janë të lidhura dhe duhet të mbesin vetëm brenda politikës, me palët dhe kundërshtarët politikë të saj. Gazetarët janë përfaqësues të një pushteti tjetër në demokraci.

Nuk është e drejtë që për arsye të kundërshtarëve apo armiqve politikë, sikundër është karakterizuar klasa jonë politike, të shtojë në listën e armiqve gazetarët dhe rolin e mediave. Kjo është e papranueshme!

UGSH shpreh solidaritetin e fuqishëm me kolegët dhe operatorët që u përballën me këtë situatë në protestën e thirrur prej opozitës.

Apelojmë që forumet dhe drejtuesit e lartë të opozitës të distancohen urgjentisht nga ky rast dhe sjellje të kësi shembujve, në marrëdhënien me gazetarët në detyrë!

Lini një Përgjigje