TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Shtator 2025, 17:36

Gara për vendin e Zaçajt, KED kualifikon ish-anëtarët e KLGJ dhe organeve të Vettingut; nga Llagami, te Genta Tafa

Shkruar nga Pamfleti
Gara për vendin e Zaçajt, KED kualifikon ish-anëtarët e
KED

Si po tentojnë të katapultohen në Kushtetuese ata që kanë mbetur pa punë...

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kualifikuar 6 nga 13 emrat që shprehën interes për vendin vakant të Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese.

Në fillim të këtij viti, Gjykata e Lartë hapi garën për vendin e Zaçajt dhe shfaqën interes 13 persona. Sipas ligjit, procesi i verifikimit dhe përcaktimi i kandidatëve bëhet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili në fund të procesit i dërgon organit të emërtesës, në këtë rast Gjykatës së Lartë, 3 kandidatë.

Pas verifikimit të dokumentacionit që ka bërë KED dhe kontrollit të kushteve dhe kritereve, janë kualifikuar 6 emra.

Mësohet se do të vijojnë garën: Asim Vokshi, Alban Toro, Florjan Ballhysa, Naureda Llagami, Genta Tafa dhe Alma Faskaj.

Ndërkohë janë jashtë gare ose në pritje: Denar Biba, Irena Nino, Klodian Rado, Lulzim Hamitaj, Nurihan Meta, Rezana Balla dhe Sinan Tafaj.

Të enjten, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet të shqyrtojë dhe të bëjë vlerësimin e kandidaturës së Denar Dibës. Sipas një njoftimi të mëparshëm të KED, ishte vendosur që për verifikimin e Bibës të administrohej dosja e vetingut të bashkëshortes së tij, ish-këshilltares së Gjykatës së Lartë, Elona Kana. Kjo e fundit u përball fillimisht me vetingun si këshilltare në Gjykatën e Lartë. Pas seancës dëgjimore në tetor te vitit 2019, Kana paraqiti dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Shkollën e Magjistraturës. Bazuar në këto rrethana, Komisioni vendosi të ndërpresë procesin e vetingut të saj, si dhe i ndaloi emërimin në pozicione në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Ajo që bie në sy është se 5 nga 6 emrat e kualifikuar kanë mbajtur poste në KLGJ apo organet e Vettingut.

Alban Toro ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa Naureda Llagami ka qenë kryetare e KLGJ. Florjan Ballhysa ka qenë Komisioner Publik, ndërsa Genta Tafa dhe Alma Faskaj pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Asim Vokshi aktualisht është gjyqtar i Gjykatës së Lartë./Pamfleti

Lini një Përgjigje