
Elton Ilirjani ka ndërmarrë nismën për të ndihmuar artisten ikonë Parashqevi Simaku. Ai ka hapur një llogari në “Go Found Me” për të kontribuar për këngëtaren e njohur.
Në përshkrimin e llogarisë, Ilirjani thekson se arsyeja pse mori iniciativën është për shkak të gjendjes së saj të vështirë. Deri më tani janë mbledhur 1,105 dollarë.
“Unë quhem Elton Ilirjani, një sipërmarrës ndërkombëtar dhe model ne fushën e modës me banim në Neë York City, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E krijova këtë iniciativë për mbledhje fondesh sepse u frymëzova dhe u preka thellësisht nga historia dhe arritjet jashtëzakonisht të suksesshme artistike të zonjës Parashqevi Simaku (Nolfe) – këngëtarja jonë Diva shqiptare – për arsye të situatës dhe gjendjes së saj të vështire aktuale.
Kontributi i saj artistik në kulturën dhe muzikën shqiptare – tradicionale dhe bashkëkohore – veçanërisht në vitet 1980 dhe 1990 ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtimet e shqiptarëve, të cilët u rritën duke shijuar këngët e saj (zërin melodioz) që ajo i interpretoi në mënyrë kaq të mrekullueshme.
Sot është momenti ynë që t’i tregojmë Divës tonë kujdesin, dashurinë, respektin dhe admirimin maksimal për kontributin e saj të pamasë në kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi.
Unë mund t’ju siguroj absolutisht se çdo qindarkë që do të mblidhet përmes kësaj fushate për mbledhjen e fondeve do të menaxhohet siç duhet dhe do të shkojë vetëm për mirëqenien, interesin dhe prosperitetin e saj, në mënyrë që të përpiqemi sa më shumë që të jetë e mundur për t’i rikthyer zonjës Simaku dinjitetin, respektin dhe admirimin që ne kemi si komb ndaj saj.
Në emër të zonjës Simaku, ju falenderoj të gjithëve për mendimet dhe urimet tuaja, dhe çdo kontribut financiar që mund të ofroni.
Sinqerisht, Elton Ilirjani”, thuhet në përshkrimin e llogarisë.

Lini një Përgjigje