Një shpërthim i qëllimshëm në Monako la të plagosur rëndë biznesmenin ukrainas Vadym Jermolajev, ndërsa sulmet me dronë dhe bombardimet vazhdojnë të shkaktojnë viktima në Ukrainë dhe në territoret e pushtuara nga Rusia...
Biznesmeni ukrainas Vadym Jermolajev u plagos rëndë në një shpërthim që ndodhi të hënën në mbrëmje në një ndërtesë banimi në Principatën e Monakos. Sipas autoritetev, dy persona pësuan plagë që rrezikojnë jetën, ndërsa një 13-vjeçar u plagos lehtë. Burime pranë hetimit konfirmuan për agjencinë AFP se Jermolajev ishte mes të plagosurve.
Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta. Ministri i Shtetit dhe kreu i qeverisë së Monakos, Christophe Mirmand, deklaroi se bëhet fjalë për një "shpërthim të qëllimshëm", pasi më herët kishte folur për një sulm të mundshëm. Ai tha se është hera e parë që një ngjarje e tillë ndodh në historinë e principatës.
Ndërkohë si pasojë e sulmeve në pjesën e pushtuar të rajonit të Donetskut të paktën tre persona humbën jetën nga sulmet me dronë ukrainas. Sipas Denis Pushilinit, kreut të administratës së emëruar nga Rusia, dy civilë të tjerë u plagosën në Starobesheve, rreth 90 kilometra nga vija e frontit. Ai shtoi se në sulme të tjera në rajon u plagosën edhe të paktën 11 persona. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, në qytetin lindor ukrainas të Kharkivit, një grua 23-vjeçare humbi jetën nga një sulm rus me bombë rrëshqitëse. Guvernatori rajonal Oleh Synjehubov njoftoi se edhe 12 persona të tjerë u plagosën, ndërsa një prej tyre ndodhet në gjendje shumë të rëndë. Sipas autoriteteve ukrainase, bomba goditi një zonë pranë qendrës së qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa biznesi, ndërmarrje dhe infrastrukturë.
Në Rusi, kryebashkiaku i Moskës Sergej Sobjanin deklaroi se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi gjatë natës 46 dronë ukrainas, përfshirë gjashtë që, sipas tij, po fluturonin drejt kryeqytetit. Ekipet e emergjencës u dërguan në zonat ku ranë mbetjet e dronëve. Javën e kaluar, autoritetet ruse raportuan se kishin rrëzuar gjithsej 660 dronë ukrainas brenda dy ditësh, një nga shifrat më të larta që nga fillimi i luftës.
Sipas raportimeve, Ukraina ka intensifikuar muajt e fundit sulmet me dronë ndaj objektivave në territorin rus, duke synuar kryesisht infrastrukturën energjetike me qëllim dobësimin e burimeve financiare të Rusisë për financimin e luftës.
Lini një Përgjigje