TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 22:54

"650 mln euro pasuri të sekuestruara, kulla, resorte, vila..."/ Paralajmërimi i Lalës: SPAK nuk ka mbaruar, vetëm maja e ajsbergut!

Shkruar nga Pamfleti
"650 mln euro pasuri të sekuestruara, kulla, resorte, vila..."/
Klodiana Lala

Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se dy operacionet e fundit të SPAK kundër pastrimit të parave kanë zbuluar vetëm një pjesë të pasurive të krijuara nga grupet kriminale, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar investime të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj.

E ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Lala u shpreh se sekuestrimet e kryera ndaj grupit të Artur Shehut dhe organizatës së Shpëtim Aliut përbëjnë vetëm "majën e ajsbergut", ndërsa pjesa më e madhe e kapitalit kriminal mbetet ende për t'u dokumentuar.

"Janë të njohura botërisht faktet që SPAK bëri dy goditje të grupeve kriminale për pastrimin e parave dhe tjetërsimin e pronave. Njëra ishte për grupin e Artur Shehut, ku u sekuestruan pasuri që shkojnë thuajse në gjysmë miliard euro. Pati sekuestrim masiv të resorteve, bllokim lejesh ndërtimi, vilash luksoze dhe kullash të larta që rezulton se janë ndërtuar me paratë e drogës. Në rastin e dytë, për organizatën e Shpëtim Aliut, u sekuestruan rreth 150 milionë euro pasuri. Po t'i shohësh këto dosje, SPAK ka sekuestruar vetëm majën e ajsbergut", tha Lala.

Gazetarja theksoi se hetimet kanë zbuluar qarkullimin e miliona eurove nga organizatat kriminale, ndërsa mbetet ende e paqartë se ku ndodhen një pjesë e konsiderueshme e pasurive të krijuara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.

"Organizata e Shpëtim Aliut, përmes Eldi Dizdarit, vetëm në tre javë kishte transferuar 8 milionë euro drejt Ekuadorit. Ai ishte i gatshëm të nxirrte nga portet europiane deri në 10 ton kokainë. Vetëm për pesë ngarkesat e sekuestruara deri tani, prokuroria pretendon se grupi ka pastruar rreth 30 milionë euro. Nuk ka ende asnjë të dhënë të plotë për pasuri të tjera brenda dhe jashtë vendit apo në kriptomonedha dhe kjo mbetet një sfidë për autoritetet", u shpreh ajo.

Sipas Lalës, shumë prej figurave kryesore të këtyre organizatave rezultojnë me pak ose aspak pasuri të sekuestruara në Shqipëri, çka tregon se hetimet duhet të vijojnë.

"Armando Pacani konsiderohet një nga lojtarët kryesorë, por Prokuroria e Posaçme ende nuk ka rezultate konkrete për pasuritë e tij, pasi aktiviteti ishte kryesisht jashtë vendit. Eldi Dizdari rezulton me pasuri të papërfillshme në raport me aktivitetin kriminal që kishte, ndërsa Dritan Gjika pothuajse nuk ka pasuri të sekuestruara në Shqipëri. Pyetja është nëse ka pasuri të tjera që po hetohen. SPAK thotë se hetimet për pastrimin e parave vazhdojnë", deklaroi gazetarja.

Në fund, Lala tha se këto dosje kanë konfirmuar me prova dokumentare atë që prej vitesh është denoncuar nga gazetarët investigativë, se paratë e trafikut të drogës janë investuar në sektorin e ndërtimit dhe jo vetëm.

"Kemi parë vetëm majën e ajsbergut, por këto dosje kanë provuar se paratë e trafikut janë investuar në kulla, resorte, blerje pronash dhe tjetërsime pasurish. Janë investuar miliona edhe për shitblerjen e votës. Ka platforma komunikimi që ekzistojnë edhe për periudhën para vitit 2021 dhe përmes tyre mund të hetohet edhe financimi i zgjedhjeve. Kjo do të provonte atë që gazetarët kanë thënë prej vitesh, por që deri më sot nuk kishte bazë dokumentare", tha Lala.

klodiana lala spak

Lini një Përgjigje