
Pas refuzimit të forcave zjarrfikëse në kufi mesa duket Greqia ka ndryshuar mendje dhe ka pranuar ndihmën e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve.
Ministria e Mbrojtjes njofton se tashmë drejt vendit fqinj do të shkojnë 10 mjete zjarrfikëse dhe 50 zjarrfikës.
Sipas raportimeve, mësohet se ka qenë ministri i Mbrojtjes Vassilis Kikilias që ka kërkuar ndihmën nëpërmjet ambasadores shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga për të shmangur mekanizmin e Bashkimit Europian për shkak të burokracive. Ajo i ka telefonuar ministrit Niko Peleshi për të dakorduar në mënyrë dypalëshe nisjen e gjashtë makinave zjarrfikëse, forcave zjarrfikëse dhe personel mbështetës.
Pritet që mjetet të kalojnë para mesnatës në pikën kufitare të Kapshticës dhe do të dislokohen në zonën e Aleksandrupolit për të marrë pjesë në operacionet e fikjes së zjarreve në këtë zonë.
Gjatë paradites, dy automjete zjarrfikëse dhe 9 punonjës të shërbimit të zjarrfikëses u nisën nga Maliqi dhe Korça me destinacion Aleksandropolinë. Por, pasi qëndruan për disa orë në hyrje të qytetit të Bilishtit, u kthyen mbrapsht.
Sipas deklaratave, shkak ishte se u plotësuan nevojat nga vendet e tjera, ku sipërfaqe të mëdha me pyje por edhe banesa, përfshirë një zonë të mbrojtur në të cilën ndodhej një manastir, janë përfshirë nga zjarret masive ditën e djeshme.
Vendi fqinj së fundmi po përballet në një situatë tejet të rënduar për shkak të zjarreve të shumtë, ku ditën e djeshme u raportua për 26 viktima, të cilët u gjetën në zonat pyjore në veri të vendit.
Sipas mediave të huaja, dyshohet se viktimat janë emigrantë. Rajoni i Evros në Greqinë verilindore, jo shumë larg kufirit turk, është shkatërruar nga zjarret. Ndërkohë një spital në qytetin e Aleksandoupolis u desh të evakuohej.
Zonat pyjore në Aleksandropoli dhe në Rodopi gjithashtu janë përfshirë nga flakët, teksa në Aleksandropoli, zjarrfikësit vijojnë prej disa ditësh ‘luftën’ me flakët.
Lini një Përgjigje