
Prokurori Publik Europian ka nënshkruar sot një marrëveshje me SPAK, për të goditur korrupsionin në vendin tonë...
Prokurori Publik Europian ka hyrë në lojë sa i takon luftës ndaj korrupsionit në vendin tonë dhe veçanërisht abuzimeve me fondet e BE. Në maj të këtij vit, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë dhe kërkohej që SPAK dhe Prokurori Evropian të bashkëpunonin për të hetuar abuzimin me fondet e Brukselit. Sot është firmosur një marrëveshje mes SPAK dhe kësaj prokurori, e cila konsiston në bashkëpunimin mes të dyja palëve sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Pamfleti” e ka thënë disa herë se në SPAK janë dorëzuar disa padi nga selitë diplomatike, po ashtu ka pasur një hetim nga OLAF për AZHBR, pasi ka dyshime se fondet që vijnë nga BE shpërdorohen. Në kuadër të paktit të ri palët do të shkëmbejnë informacion për të shkuar te abuzuesit.
“Në datën 29 Qershor, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani nënshkroi një Marrëveshje Pune me Drejtuesen e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, znj. Laura Codruța Kövesi. Marrëveshja konsiston në vendosjen e urave të bashkëpunimit në hetimin financiar për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publik. Përfaqësuesit e dy institucioneve diskutuan gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit edhe në kuadrin e rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në trajnimet që ekspertët e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian mund të ofrojnë për Seksionin e Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira midis prokurorëve evropianë dhe prokurorëve të posaçëm në hetimin e keqpërdorimit të fondeve publike”, njofton SPAK.
Sipas marrëveshjes, palët do të organizojnë takime të nivelit të lartë ndërmjet Kryeprokurorit Evropian dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, si dhe takime teknike në të dy nivelet operacionale dhe administrative. Po ashtu thuhet se palët mund të bashkëpunojnë në organizimin e sesioneve trajnuese për çështje me interes të përbashkët dhe mund të ftojnë njëra-tjetrën në seminare, takime pune, konferenca dhe aktivitete të tjera të ngjashme që janë në mënyrë reciproke të rëndësishme.
“Me kërkesë, ZPPE mund të mbështesë SPAK-un në ushtrimin e funksioneve të saj, veçanërisht me njohuritë dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve financiare dhe korrupsionit”, theksohet në marrëveshje.
Sipas marrëveshjes, Prokurori Evropian do të japë asistencë dhe në fushat e tjera, por ky organ kryesisht heton abuzimet që bëhen me fondet që lëshohen nga Brukseli. Deri tani marrëveshja ka qenë me Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa tani ata do futen në lojë te SPAK. /Pamfleti
Lini një Përgjigje