TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2026, 11:14

Helmimi për herë të dytë i studentëve te Akademia e Sigurisë, “Sori-Al” e çiftit Jakaj–Tafani u rikthye në aktivitet pas hetimit

Shkruar nga Pamfleti

Helmimi për herë të dytë i studentëve te Akademia e

Skandali i përsëritur helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë, ku ushqimi dërgohet me shërbim catering nga kompania Sori-Al, forcon hijet e dyshimit të ngritura për cilësinë e produkteve dhe shërbimit që ofron subjekti i Alma Tafanit, si dhe për veprimtarinë e autoritetit që ka për detyrë të kontrollojë e garantojë sigurinë e ushqimit në vend.

Aktiviteti i kompanisë Sori-Al u pezullua dhe subjekti u gjobit me 1.500.000 lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare, pas helmimit të dhjetëra studentëve të Akademisë së Sigurisë në fillim të muajit maj.

Analizat në atë rast konfirmuan se të paktën 57 policë të rinj u helmuan nga konsumimi i makaronave me Escherichia coli dhe Stafilokok, dy lloje bakteresh që shkaktojnë infeksione në organizmin e njeriut.

Por më pas, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi zhbllokimin e aktivitetit të subjektit "Sori-Al", duke i lënë detyrë kryerjen e analizave të autokontrollit për produktin e gatshëm në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Ky vendim i hapi rrugë firmës së Alma Tafanit, e cila u arratis pas skandalit, që të rinisë furnizimin me ushqim catering për tre vakte për studentët e Akademisë së Sigurisë.

Skandali i helmimit të policëve po verifikohet ndërkohë nga Prokuroria e Tiranës, e cila me dy shkresa zyrtare i ka kërkuar AKU-së shpjegime, fillimisht për masën e bllokimit të kompanisë Sori-Al dhe më pas për zhbllokimin e aktivitetit të kompanisë private, me të cilën Akademia e Sigurisë ka një kontratë.

Si pjesë e hetimit, Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje Ersid Hasanllarin, i cili mbante detyrën e drejtorit të AKU-së për Kryeqytetin në kohën e helmimit të studentëve të Akademisë së Policisë, si dhe drejtoren e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Flutura Polaci.Alma Tafani, pronarja e Sori-Al, bashkëshortja e biznesmenit Nikolin Jakaj, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, u arratis menjëherë pas skandalit të helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë, ndërsa në pranga përfunduan punonjës të kompanisë së saj.

Kompanitë e çiftit Jakaj–Tafani, vitet e fundit, kanë qenë në qendër të shumë skandaleve që lidhen me shkelje të ndryshme në tenderët për ofrimin e shërbimeve të ushqimit për të sëmurët apo pastrimin e çarçafëve në QSUT.

Lini një Përgjigje