
Analisti Agim Baçi ka folur lidhur me krizën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese për shkak të përfundimit të mandatit të kryetare Holta Zaçaj.
Teksa ka komentuar ngërçin në Kushtetuese, Baçi tha se zëvendësimi i anëtarëve bëhet që asnjë nga institucionet e emërtesës: Gjykata e Lartë, Kuvendi dhe Presidenti, të mos dominojnë këtë institucion.
Ai u shpreh se Holta Zaçaj është anëtare e Kushtetueses që zëvendësoi një tjetër anëtar, për shkak të procesit të reformimit të drejtësisë. Sipas tij, Zaçaj nuk kishte mandat të plotë.
“Ajo pretendon se duhet të përfundojë mandatin në fund të 2025-ës”, tha analisti për “News 24”.
Baçi tha se persona të tillë që përfaqësojnë ligjin nuk kanë pse të hyjnë në labirinthe politike ndërsa shtoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, por zbatohen.
Lini një Përgjigje