Kristjan Asllani ka pësuar një dëmtim muskulor gjatë fazës përgatitore me Interin. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, së bashku me Janis Masolin, iu nënshtrua kontrolleve mjekësore paraditen e sotme, ku stafi mjekësor i klubit konfirmoi problemet fizike të të dy futbollistëve.
Interi bëri të ditur se Asllani dhe Masolin do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të tjera në ditët në vijim, për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperim.
Pas rezultateve të këtyre vlerësimeve, trajneri Kristian Kivu do të marrë vendimin nëse dy lojtarët do të udhëtojnë me skuadrën në turneun përgatitor në Kinë dhe Australi, apo do të qëndrojnë në qendrën stërvitore të Appiano Gentile për të vazhduar trajtimin dhe rikuperimin.
Ky dëmtim vjen në një moment delikat për Kristjan Asllanin, i cili synon të shfrytëzojë fazën përgatitore për të bindur stafin teknik dhe për të fituar më shumë minuta e rol në skuadrën zikaltër për sezonin e ri.
Lini një Përgjigje