Situata te Hipoteka është tensionuar mëngjesin e sotëm. Banorët e Bërxullës kanë tentuar të hyjnë në zyrat e Hipotekës, por janë përballur me forca të policisë private.
Banorët kundërshtojnë projektin Thumanë-Kashar. Gjatë protestës së sotme ata janë shprehur se brenda në zyrat e Hipotekës ndodhen hajdutët e qytetarëve.
“I kanë bërë zyrat si bunkerë. Mbroni kriminelët”, ka thënë një banor.
Gjithashtu banorët kanë theksuar se ligji nuk funksionon për hajdutët dhe sekserët.
“Ne jemi në qiell të hapur, nga minuta në minutë mund të dalim m çadra. Punimet vazhdojmë, por projekt nuk ka. Duhet të bëhemi Dallëndyshe si zonja Bici se nuk kemi ku të kalojmë. Duhet të fluturojmë që të kalojmë në anën tjetër. Nuk na japin përgjigje as Kryeministria, as Ministria dhe kemi ngelur në qiell të hapur. Kërkojmë vetëm të zbatohet ligji dhe asnjë më tepër”, tha një protestues.
Më shumë se 6 muaj që protestojnë e trokasin në dyer të ndryshme, banorët e Bërxullës kërkojnë zgjidhje për pronat e tyre. Ata janë shprehur se nuk janë kundër ndërtimit të autostradës Thumanë-Kashar por duan shpronësime të drejta. Sipas tyre, kompania Gener 2 ka nisur punën në terren por dëmshpërblimi i ofruar është qesharak. Para zyrave të Kadastrës, banorët shprehen se po i soset durimi me paligjshmërinë që po i bëhet dhe pretendon se në zyrat e Kadastrës nuk bëjnë asnjë veprim pa ryshfet.
Lini një Përgjigje