TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 14:03

I mituri u mbyt në Osum, banorët akuzojnë shtetin: 15-vjeçari mbeti në gropat e krijuara nga pritat lumore

Shkruar nga Pamfleti

I mituri u mbyt në Osum, banorët akuzojnë shtetin:

Familja Sadushi në fshatin Orizaj të Beratit hapi këtë të hënë dyert e mortit për t'i dhënë lamtumirën e fundit djalit të saj të vetëm 15-vjeçarit Fatjon Sadushi, i cili humbi jetën tragjikisht në ujërat e lumit Osum.

Mes dhimbjes dhe lotëve, familjarë, të afërm, miq dhe shokë të shkollës morën pjesë në ceremoninë mortore për të përcjellë të miturin në banesën e fundit.

Ndërkohë, edhe pse ekspertiza mjekoligjore ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte mbytja, banorët e zonës hedhin akuza ndaj autoriteteve vendore për kushtet e krijuara në lumë.

Sipas tyre, pritat e ndërtuara së fundmi për parandalimin e përmbytjeve kanë krijuar gropa të thella të mbushura me baltë, të cilat, sipas pretendimeve të tyre, kanë bërë të pamundur që 15-vjeçari të dilte në sipërfaqe.

"Mbytja e të miturit u shkaktua nga pritat lumore që u vendosën së fundmi për të parandaluar përmbytjet. Këto prita kanë krijuar gropa të thella që janë mbushur me baltë dhe nuk i lanë mundësi të dilte nga lumi", shprehen banorët e fshatit Orizaj për "News 24".

Ngjarja ndodhi teksa Fatjon Sadushi po punonte në arë së bashku me të atin. Për t'u freskuar nga temperaturat e larta, ai hyri në ujërat e lumit Osum, por pak çaste më vonë nisi të mbytej. Sapo e kuptoi çfarë po ndodhte, babai u hodh në lumë për ta shpëtuar, por fatkeqësisht nuk arriti ta nxirrte të gjallë.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

orizaj i mituri familja lumi osum humb jeten

Lini një Përgjigje